KE-ja projekt për Shkollën e Magjistraturës
Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës çelën dje një projekt të financuar bashkërisht, me vlerë 400 000 euro për të mbështetur Shkollën e Magjistraturës së Shqipërisë. Projekti ka për synim të zgjerojë menaxhimin dhe kapacitetin operacional të shkollës, përfshirë qëndrueshmërinë e saj financiare dhe zhvillimin institucional. Për 18 muajt e ardhshëm, Këshilli i Europës do të punojë ngushtë me ekipin e shkollës dhe me gjykatat, duke u fokusuar në trajnimin e 360 magjistratëve, 60 pedagogëve dhe 20 studentëve. Ceremonia e hapjes së projektit të financuar nga BE-ja, e implementuar nga Këshilli i Europës “Mbështetje për Qëndrueshmërinë e Shkollës së Magjistraturës“, u prit dje nga shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan, Arjana Fullani, drejtoresha e Shkollë së Magjistraturës dhe Margaret Killerby, drejtoreshë e Bashkëpunimit për të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Ligjore në Këshillin e Europës. Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian kanë punuar së bashku në Shqipëri që nga viti 1993 nëpërmjet programeve të përbashkëta të njëpasnjëshme, me fokus në reformimin e sistemit ligjor dhe rritjen e standardeve të të Drejtave të Njeriut në nivele Europiane. Në kuadrin e këtij projekti, eksperti kryesor rezident, Mihai Selegean, drejtor i Institutit Kombëtar të Magjistraturës së Rumanisë, do të vendoset në Shkollën e Magjistraturës, për të siguruar këshillim praktik mbi çështjet që lidhen me menaxhimin financiar dhe zhvillimin institucional të shkollës.
J. Tashi
9 Shkurt 2008