Propozimi, do të rishikohet plotësisht lista e barnave
Ministri Ndoka propozoi dje heqjen e disa barnave nga rimbursimi. Grupi i punës pritet të përcaktojë këtë vit barna të reja në listën e rimbursimit
Emanuela Sako
Lista e barnave të rimbursueshme do të rishikohet plotësisht. Ky ka qenë dhe propozimi i djeshëm i ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë mbledhjes së Komisionit për Hartimin e Barnave të Rimnbursueshme. Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë pohuan dje për gazetën “Albania” se edhe këtë vit do të ketë barna të rimbursueshme për disa kategori pacientësh, të cilat do të dalin nga lista që do të hartohet nga ekspertët. Kështu, Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka hedhur poshtë deklaratat e specialistëve apo të mjekëve se këtë vit nuk do të ketë barna të rimbursueshme. Në Komisionin e Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme është vendosur që specialistët të bëjnë gati listën e barnave me rimbursim që do të futen për 2008-n. Në bazë të këtij vendimi do të mundësohet heqja e barnave formale dhe shtimi i listës me një gamë më të gjerë barnash.
Përfitimi
Më tepër prioritet për të përfituar barna me rimbursim do të kenë të sëmurët që vuajnë nga sëmundjet kronike. Çështja për barnat e rimbursueshme u alarmua disi pasi vetë autoritetet e Shëndetësisë bënë publik lajmin se buxheti i parashikuar për këto barna nuk ishte i mjaftueshëm. “Jam i ndërgjegjshëm për mundësitë financiare që lejon buxheti i shtetit, por gjithashtu jam i ndërgjegjshëm për nevojën e madhe dhe emergjente që qytetarët, sidomos ata me sëmundje kronike, të kenë mundësi reale për të përfituar nga barnat e rimbursuara”, - u shpreh ministri Ndoka gjatë punimeve të komisionit.
Grupi i punës
Në përfundim komisioni ngriti një grup pune, i cili brenda pak ditësh, në konsultime me të gjitha kërkesat e paraqitura gjatë vitit 2007 nga të sëmurët dhe propozimet e klinikave të QSUT-së, të bëjë vlerësimin konkret për rishikimin dhe zgjerimin e listës. Grupi i punës do të vendosë për të gjitha barnat që do të hyjnë këtë vit në listën e të rimbursueshmeve. Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i barnave për këtë vit, por duket se do të ketë më tepër barna me një kosto të ulët, pasi në këtë mënyrë do të krijohet mundësia për të futur në listë më tepër barna.
Gjatë vitit 2007 buxheti shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë për barna ishte 1 miliard lekë dhe 400 milionë lekë për citostatikët. E krahasuar me vitin 2005 rritja e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë për barna është 210 për qind.
9 Shkurt 2008