E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurs për kryeinfermierë në QSUT, kriteret për të fituar

Konkursit do t’u nënshtrohen dhe kryeinfermierët që duan të ruajnë vendin e punës. Nëse kandidatët për pozicionin e kryeinfermierëve kanë vërejtje në librezën e punës, për çdo vërejtje që mund të kenë marrë u ulet një pikë nga konkurrimi
Emanuela Sako

Kryeinfermierët e QSUT-s duhet t’i nënshtrohen një konkursi me shkrim për të mbajtur dhe për të gjetur një vend pune më të lartë. Për pozicionin e punës së kryeinfermierit në QSUT, kandidatët duhet t‘u nënshtrohen disa testimeve që vërtetojnë aftësitë drejtuese në këtë post. Konkurse të tilla janë bërë në mënyrë të herëpashershme nga Drejtoria e QSUT-së, brenda një viti, e cila ka shpallur në çdo pavijon listën e kritereve. Konkursi ka si qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit në çdo pavijon dhe vendosjen në pozicione të tilla të të gjithë infermierëve që janë të aftë profesionalisht. Sipas Drejtorisë së QSUT-së, ky aktivitet për përzgjedhjen e kryeinfermierëve të shërbimit dhe kryeinfermierëve të pavijoneve ka një vit që ka nisur dhe do të riciklohet për të vendosur personat më të aftë në krye të shërbimit. Kriteret bazë për përzgjedhjen janë arsimi, eksperienca e punës, cilësitë profesionale, drejtuese e komunikuese, si trajnime të ndryshme profesionale. Një vend të rëndësishëm zënë dhe gjuhët e huaja dhe njohuritë kompjuterike. Gjithashtu kandidatët duhet të jenë të “pastër” profesionalisht. Çka do të thotë se për çdo vërejtje që do të kenë në librezën e punës, pakujdesi apo gabim profesional, do t’u ulet një pikë nga konkurrimi. Për të marrë pikët mesatare në konkurrim duhet që nota mesatare e shkollës së lartë të Infermierisë të jetë mbi 9, dhe të tjerat variojnë në bazë të mesatares më të ulët.
Kriteret
Për përzgjedhjen e kryeinfermierëve, Drejtoria e QSUT-së ka vendosur një numër kriteresh, në të cilat përfshihet e gjithë përgatitja profesionale e infermierëve kandidatë. Një ndër kriteret për pranimin në konkurrim të kandidatëve është arsimimi që kanë marrë, ku më tepër vlerësohet Shkolla e Lartë e Infermierisë, që është 3 vite e gjysmë. Po kështu pranohen kandidatët me arsim të mesëm profesional, 4-vjeçar në degën e Infermierisë. Njëkohësisht pranohen të gjithë kandidatët që kanë kryer arsimimin e Kursit të Kuadrove të Mesme Mjekësore, që zgjat dy vjet dhe kryhet pas mbarimit të gjimnazit. Për pozicionin e kryeinfermierit të Shërbimit kandidatët duhet të kenë 5 vjet përvojë pune në QSUT, në drejtim qoftë edhe në ndonjë pozicion më të ulët. Ndërsa për pozicionin kryeinfermier pavijoni, kandidatët duhet të kenë 3 deri në 5 vjet eksperiencë pune në QSUT. Konkurrentët duhet të kenë aftësi dhe cilësi profesionale, drejtuese dhe komunikuese, si me eprorët, kolegët dhe vartësit. Të gjitha këto cilësi do të maten nga testimi që do të kryhet. Në përzgjedhjen e kryeinfermierëve pjesë e vlerësimit janë trajnimet profesionale pas diplomimit si infermier. Kandidatët konkurrues, për vërtetësinë e kryerjes së këtyre trajnimeve duhet të dorëzojnë diplomat dhe dëshmitë e marra gjatë mbarimit të kurseve. E rëndësishme është që konkurrentët të kenë njohuri bazë të programeve kompjuterike. Gjuha e huaj, e mbrojtur dhe e paraqitur me dëshmi, është një ndër kriteret që vlerësohet dhe do të jetë një plus në përzgjedhje.
Konkurrentët
Pjesë e konkursit mund të jenë të gjithë kryeinfermierët që janë aktualisht në këto pozicione, kryeinfermierët e të gjitha shërbimeve apo pavijoneve të ndryshme, si dhe infermierët që mendojnë se i plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Drejtoria e QSUT-së. Dokumentacioni që duhet të dorëzojnë duhet të jetë i plotë dhe të dorëzohet një javë para konkurrimit. Pjesë e dokumentacionit janë: Curriculum Vitae, diploma e infermierisë dhe lista e notave. Certifikatë me fotografi, dëshmi të trajnimeve të ndryshme, dëshmi e gjuhëve të huaja, dëshmi aftësie për programet bazë të kompjuterit.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›