E Diel, 1 Nëntor 2026

ITALI – Makina përplaset me turmën duke plagosur tetë persona

MODENA, 17 maj /ATSH-DPA/ – Një burrë drejtoi makinën e tij ndaj një turme në qytetin verior italian të Modenas duke plagosur tetë persona, katër prej të cilëve rëndë, tha kryebashkiaku Massimo Mezzetti.

Mezzetti u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp se një turiste gjermane ishte midis të plagosurve rëndë si dhe një polak.

Sulmi ndodhi pasditen në qendrën historike të Modenës, ku automjeti hyri me shpejtësi në një rrugë në zonën antike të qytetit.

Sipas kryebashkiakut, shoferi u ngjit qëllimisht në trotuar me shpejtësi të lartë dhe goditi një grup këmbësorësh.

”I dyshuari më pas u përpoq të ikte, duke lënë makinën ndërsa mbante një thikë”, raportuan disa dëshmitarë.

Kalimtarët e ndoqën burrin dhe arritën ta mposhtnin.

Ai u arrestua dhe u mor në pyetje nga policia.

Agjencia e lajmeve ANSA citoi prokurorin Luca Masini të thoshte se “ekziston një qëllim i qartë dhe i dukshëm për të rrezikuar sigurinë publike, jo vetëm jetën e viktimave individuale”.

I dyshuari 31-vjeçar përballet me akuza, përfshirë sulm të rëndë.

Sipas raportimeve, burri kishte marrë trajtim psikiatrik në të kaluarën, mban një diplomë në ekonomi dhe nuk ka precedentë të mëparshëm penalë.

”I dyshuari ka lindur në qytetin verior italian të Bergamos dhe është rritur në zonën e Modenës”, thanë raportet.

Më parë, Mezzetti tha në një mesazh video se ishte “thellësisht i tronditur” nga ajo që e përshkroi si një “incident i çmendur”.

Pamjet e kamerave të sigurisë treguan makinën e vogël duke goditur disa njerëz, me disa të hedhur në ajër.

Një grua u shtyp pas një dritareje dyqani në fund të rrugës së makinës dhe pësoi lëndime të rënda, përfshirë amputimin e të dy këmbëve, sipas mediave lokale.

ANSA citoi autoritetet të kenë thënë se dy prej të plagosurve duhej t’u priteshin këmbët.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e përshkroi incidentin si “jashtëzakonisht serioz” dhe shprehu solidaritet me të plagosurit dhe familjet e tyre, ndërsa falënderoi ata që e ndaluan burrin./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›