LETONI – Presidenti Rinkevics ngarkon opozitarin Kulbergs për formimin e qeverisë së re

RIGA, 17 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics ngarkoi politikanin e opozitës, Andris Kulbergs me detyrën e formimit të një qeverie të re, dy ditë pasi kryeministrja Evika Silina dha dorëheqjen.
46-vjeçarit Kulbergs, anëtar i ”Listës së Bashkuar” të qendrës së djathtë – forca më e madhe opozitare në parlament – i është dhënë afat deri më 25 maj për të mbledhur një koalicion të qëndrueshëm.
Rinkevics tha pas bisedimeve me gjashtë partitë e përfaqësuara në parlament se zhvillimet e fundit e bënë të përshtatshme që një figurë e opozitës të udhëheqë qeverinë e ardhshme.
Kulbergs falënderoi presidentin për besimin e tij dhe tha se pesë parti kishin shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar.
“Shpresoj se mund të formojmë një koalicion të gjerë”, tha ish-kreu i shoqatës së automobilave të Letonisë, i cili ka shërbyer në parlament që nga viti 2022.
”Lista e Bashkuar” ka 13 nga 100 vendet në parlament.
Silina paraqiti dorëheqjen e saj të enjten pasi një nga dy partnerët e saj të koalicionit, ”Progresistët e majtë”, tërhoqën mbështetjen e tyre.
Sipas kushtetutës së Letonisë, kjo automatikisht shkakton dorëheqjen e të gjithë kabinetit, i cili mbetet në detyrë në një cilësi të përkohshme derisa të konfirmohet një qeveri e re në vendin e BE-së.
Kriza politike vjen vetëm disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për në fillim të tetorit.
Shkaku i menjëhershëm ishte dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Andris Spruds.
Politikani i ”Progresistëve” dha dorëheqjen nën presionin e Silinas pasi dy dronë ukrainas të dyshuar për drejtim nga Rusia u rrëzuan në territorin letonez.
Silina e kishte akuzuar atë për dështime në mbrojtjen ajrore dhe kërkoi ta zëvendësonte atë me një oficer ushtarak.
Incidentet vijnë mes tensioneve të larta për shkak të luftës në Ukrainë, me dronë nga Rusia dhe Ukraina që kishin hyrë më parë në hapësirën ajrore letoneze./ a.jor.