KOMENT – Temperaturat e larta armiku kryesor i Botërorit 2026

PARIS, 17 maj /ATSH-AFP/ – Një e katërta e ndeshjeve në Kupën e Botës në futboll të kësaj vere mund të luhen në kushte më të këqija nxehtësie, krahasuar me turneun e mëparshëm në Amerikën e Veriut në vitin 1994, për shkak të ndryshimeve klimatike, paralajmëruan studiuesit.
“Hulumtimi ynë tregon se ndryshimi i klimës ka një efekt real dhe të matshëm në qëndrueshmërinë e organizimit të Kupave të Botës gjatë verës në Hemisferën Veriore”, tha Friederike Otto, profesoreshë e shkencës së klimës në ”Imperial College London” dhe bashkëthemeluese e ”World Weather Attribution” (WWA).
Ky grup shkencëtarësh shqyrtoi 104 ndeshjet e mbajtura nga 11 qershori deri më 19 korrik në 16 stadiume në të gjithë Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
”Që nga hera e fundit që Shtetet e Bashkuara pritën Kupën e Botës në vitin 1994, rreziku i një vale të nxehti është dyfishuar për shkak të ndryshimeve klimatike, gjë që do të rrezikojë lojtarët dhe tifozët”, tha shefi i OKB-së për Ndryshimet Klimatike, Simon Stiell duke bërë thirrje për ”veprime më të shpejta për të mbrojtur sportin që duam dhe të gjithë ata që e shikojnë atë”.
Hulumtuesit e WWA-së i referohen një indeksi të temperaturës (i njohur si “termometri i globit të lagësht” ose WBGT) që merr parasysh jo vetëm temperaturën, por edhe lagështinë, rrezet e diellit dhe mbulesën me re.
Ky indeks, i cili përcakton aftësinë e trupit për t’u ftohur, përdoret shpesh si një pikë referimi për aktivitetet njerëzore në natyrë, për shembull, nga ushtria ose për ngjarjet sportive.
Një temperaturë ajri në dukje e moderuar, në fakt, mund të bëhet e padurueshme e nxehtë, madje vdekjeprurëse, kur kombinohet me lagështi.
Një indeks i lartë WBGT prej 28°C është ekuivalent me 38°C në kushte të thata ose 30°C në kushte shumë të lagështa.
Rreth një e katërta e ndeshjeve (26 ndeshje) ka të ngjarë të luhen në kushte ekuivalente ose më të larta se 26°C WBGT, gjë që do të kërkonte masa shtesë ftohëse, sipas sindikatave të lojtarëve.
”Dhe rreth pesë ndeshje do të luhen në temperatura prej 28°C ose më të larta, pothuajse dyfishi i niveleve të vitit 1994, një prag i rrezikshëm në të cilin sindikata e lojtarëve sugjeron që ndeshjet duhet të anulohen”, theksoi Friederike Otto gjatë një informimi për gazetarët.
Shkencëtarët kanë identifikuar disa ndeshje “me rrezik të lartë” në stadiume të hapura, veçanërisht në Miami, Kanzas Siti dhe Nju Jork/Nju Xhersei, ku Franca do të luajë me Senegalin më 16 qershor.
”Stadiumet e tjera janë të kondicionuara, duke zvogëluar rreziqet për lojtarët dhe spektatorët, por ka edhe rreziqe për tifozët që mund të mblidhen jashtë. Ata janë në rrezik edhe më të madh sepse nuk do të kujdesen nga shumë mjekë”, vëren Friederike Otto./ a.jor.