E Diel, 1 Nëntor 2026

U plagos në shoqërinë e personit në arrest shtëpie, pezullohet nga detyra efektivi në Shkozë

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkozë, ku mbeti i plagosur efektivi 30-vjeçar Anxhelo Kumaraku, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit e ka pezulluar këtë të fundit nga detyra.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se nga të shtënat u plagos aksidentalisht në këmbë një 30-vjeçar (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë.

Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për ngjarjen e ndodhur në mesnatë, në Shkozë, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. L., 33 vjeç dhe A. L., 22 vjeç, (vëllezër)”, thuhet në njoftim.

“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të shtetasit K. S., i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me shtetasit A. K. dhe L. D. Nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht në këmbë shtetasi A. K., 30 vjeç (punonjës policie, jashtë shërbimit). Ai po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, vijon njoftimi.

Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, ndaj punonjësit të Policisë A. K., Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, pasi ky punonjës policie është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, si dhe nuk ka njoftuar shërbimet policore dhe eprorët për rastin në fjalë.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›