I.Toçi: Fati i Elbasanit vendoset në Kavajë
Portieri Irakli Toçi mendon se ndeshja me Besën do të tregojë, nëse skuadra e tij do të mbetet pretendente për superligën ose jo
Elbasani luan në Kavajë ndoshta ndeshjen më të rëndësishmë të kampionatit. Është një sfidë, që përcakton shumë në objektivat e verdhebluve, që deri tani janë vënë në dyshim disa herë. Futbollistët e kanë vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje dhe po përgatiten për të marrë rezultat pozitiv në Kavajë.
Stafit teknik i duhet të bëjë pa Mateos Toçin dhe Ruçim, të cilët janë të skualifikuar për shkak kartonësh. Portieri me eksperiencë i Elbasanit, Irakli Toçi, i cili pritet të jetë titullar në këtë ndeshje, për “Sportin shqiptar” shprehet:
Elbasani i ka të qarta synimet dhe në çdo ndeshje luan për fitore. Na pret një sfidë e vështirë në Kavajë, ku të gjithë e dimë se duhet të japim maksimumin. Do të bëjmë lojën tonë dhe jam i bindur se do të paraqitemi më mirë se herët e tjera në ndeshjet jashtë fushe.
Nëse marrin pikë me Besën, mbetemi brenda objektivit, ndërsa në të kundërt do të mbetemi shumë prapa rivalëve dhe do ta kemi të pamundur ti kalojmë ata. I siguroj shokët e skuadrës dhe tifozët elbasanas se do të bëj gjithçka për ta mbajtur të paprekur rrjetën.
Vendimtare Toçi, i cili është rikthyer këtë sezon tek Elbasani, thekson se tani grupi i lojtarëve po kalon një moment relativisht të mirë dhe është gati për të bërë kthesën në transfertë, ku ende nuk ka arritur fitoren e parë. Ai shtoi se nga Kavaja varet edhe fati i superligës për skuadrën e tij: Jemi të vetëdijshëm që kjo është një ndeshje mjaft e vështirë.
Në rast se humbasim, e rrezikojmë shumë objektivin. Ekipi ynë po kalon një moment të mirë dhe besoj se do të bëjë më në fund kthesën. Fusha do ta tregojë, nëse Elbasani do të jetë një pretendent i denjë për në superligë apo jo. Në Kavajë do të luajmë shanset tona dhe mendoj se do të marrim rezultat pozitiv.
