E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët optimistë për miqësore

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, i ka premtuar Federatës së Futbollit të Kosovës se në seancën e radhës të Komitetit Ekzekutiv, më 16 e 17 dhjetor në Tokio, do të shqyrtohet sërish kërkesa e saj për lejimin e organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Edhe udhëheqësit e futbollit kosovar janë optimistë se FIFA më në fund do t’u japë leje për zhvillimin e miqësoreve.

Edhe pse disa herë rresht, sikurse UEFA ashtu edhe FIFA, kanë refuzuar kërkesën e Federatës së Futbollit e Kosovës (FFK) për lejimin e organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj, shtëpia e futbollit botëror sërish u ka dhënë shpresë kosovarëve se shpejt mund ta aprovojë atë kërkesë të tyre.

Në fakt, FIFA përmes presidentit të saj, Sepp Blatter, ka njoftuar se kjo kërkesë e FFK-së do të shqyrtohet sërish në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të saj, e cila do të mbahet më 16 dhe 17 dhjetor në Japoni.

“Ju falënderoj për letrën tuaj të datës 31 tetor. Kërkesa e juaj për zhvillimin e ndeshjeve miqësore do të jetë në rend të ditës në seancën e radhës të KE të FIFA-s, që do të mbahet më 16 e 17 dhjetor në Tokio”, thuhet në letrën e Blatterit dërguar kreut të futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

“Ne do t’ju informojmë për epilogun e mbledhjes dhe kërkesën tuaj. Duke iu falënderuar për angazhimin tuaj në shërbim të sportit tonë, ju lutem që të besoni në ndjenjat e mia të përzemërta dhe miqësore”, ka theksuar zvicerani.

Në fakt, kjo kërkesë e FFK-së që disa herë po refuzohet nga shtëpia e futbollit evropian dhe ajo botëror. Së fundmi, kërkesa e palës kosovare u refuzua më 21 tetor nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, pas rekomandimit që e kishte marrë nga UEFA. Atë refuzim nuk e kishin pritur udhëheqësit e futbollit kosovar, pasi paraprakisht ata kishin marrë premtime se kërkesa e tyre do të aprovohej.

Megjithatë, krerët e FFK-së shpresojnë se kësaj radhe kërkesa e tyre do të aprovohet më në fund nga FIFA.

“Kemi kontakte të përditshme thuajse me FIFA-n. Ne nuk jemi ndalë asnjëherë duke i përsërit kërkesat tona, edhe pse jemi të vetëdijshëm se nuk është e lehtë t’ia dalim. Mirëpo, unë besoj se kësaj radhe FIFA do të ketë konsideratë ndaj kërkesës sonë, sepse vetë presidenti Blatter do të bëjë presion mbi Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s. Andaj nuk mund të them se kërkesa jonë do të aprovohet, por mund të them se kësaj here do të ketë diçka më pozitive për Kosovën”, ka deklaruar për Express sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Duhet theksuar se futbolli kosovar tash e shumë vite vazhdon të mbetet i izoluar. Reprezentacioni kosovar vazhdon të mbetet tepër pasiv, pasi ndeshjen e fundit miqësore – ndër të rralla që i luan – e ka zhvilluar në muajin mars në Prishtinë ndaj skuadrës shqiptare nga Maqedonia, Renovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›