E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita zyrtarizon Sejdiun

Florent Sejdiu është përforcimi më i ri i Dritës. Sulmuesi mitrovicas është ndarë me Trepçën ’89 për t’iu bashkuar ekipit gjilanas. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i të rikthyerit në Superligë, Sedat Pajaziti.

“Nga sot, Florent është futbollist i ri i Dritës. Me Sejdiun kemi arritur marrëveshje për gjashtë muaj, por ka mundësi që bashkëpunimi ynë të vazhdojë edhe pas përfundimit të sezonit”, deklaroi të enjten kreu i klubit gjilanas.

Florent Sejdiu e kishte filluar karrierën te Trepça, me të cilën ishte shpallur kampion i Kosovës dy sezone më parë. Më pas, ai e kishte provuar veten në Finlandë, por në fillim të këtij sezoni u rikthye në Kosovë me rivalin lokal të Trepçës. Në sezonin vjeshtor, Sejdiu ka shënuar gjashtë gola në fanellën e Trepçës ’89.

Drejtuesit e Dritës kanë paralajmëruar përforcime të tjera gjatë dimrit për të qenë edhe më të fortë në pjesën pranverore. Gjilanasit e kanë mbyllur pjesën e parë të sezonit në pozitën e dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›