E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalë të mira për Kuqin

Menaxheri i Oldham Athletic, Paul Dickov, dhe mesfushori i këtij klubi, Tom Adeyemi e kanë lavdëruar Shefki Kuqin, i cili të martën mbrëma e shënoi golin e 13-të në fanellën e klubit nga liga e katërt angleze. Sulmuesi kosovar shënoi në fitoren 2-0 ndaj Bradfordit, për ta ndihmuar ekipin e tij të kualifikohet në finale të kupës Johnstone's Paint Trophy, në zonën veriore.

“Kuqi po i bën gjërat e duhura. Kjo është arsyeja pse ai ka luajtur në nivele të larta në pjesën më të madhe të karrierës. Ai shënon gola vazhdimisht. Edhe nëse luan mirë, edhe nëse ka një lojë të luhatshme, çfarëdo që ndodh në lojë, ai do të ngritet dhe do ta krijojë rastin. Kjo është arsyeja pse e mbajmë Shefkiun në fushë deri në fund, sepse ai mund të shënojë në çdo çast”, deklaroi Dickov për mediat angleze.

As shoku i skuadrës nuk ia la mangut, duke dhënë fjalë të mira për ish futbollistin e Newcastles. “Shefkiu është një nga ata lojtarë që mund të shënojnë në çdo moment. Ai gjendet në pozitat e duhura. Kjo është një gjë nga e cila mund të mësoj. Si mesfushor, unë duhet të mësohem të shënoj sa më shumë gola. Mendoj se është gjë e mirë ta kesh dikë si ai, i cili shënon gola kudo dhe kurdo”, theksoi Adeyemi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›