IZRAEL – IDF vret komandantin dhe xhihadistin e Hezbollahut

TEL AVIV, 4 nëntor /ATSH-DPA/- Forcat ajrore izraelite kanë eliminuar një komandant të milicisë libaneze të Hezbollahut – në një vrasje të synuar, njoftoi sot ushtria.
“Sulmi ndodhi në Baraachit në Libanin jugor”, sipas një deklarate të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
“Ai ishte përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve me raketa dhe raketa antitank ndaj trupave të IDF-së”, tha ushtria izarelite.
“Ndërkohë, në Rripin e Gazës, forcat ajrore izraelite vranë një anëtar të departamentit të inteligjencës ushtarake të organizatës terroriste palestineze Xhihadi Islamik”, sipas ushtrisë.
“Ai kishte marrë pjesë në masakrën e 7 tetorit 2003 në zonën kufitare izraelite dhe ishte përfshirë në sulmet ndaj komunitetit izraelit të Kfar Aza”, sipas IDF.
“Një terrorist tjetër u eliminua së bashku me të”, tha ushtria
Pretendimet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Lufta e Gazës u shkaktua nga sulmi i paprecedentë terrorist në Izraelin jugor të nisur nga organizata militante palestineze Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin më shumë se 1200 njerëz u vranë dhe rreth 250 të tjerë u morën peng në Rripin e Gazës.
“Më shumë se 43 300 njerëz janë vrarë dhe mbi 102 000 janë plagosur deri më tani në ofensivën izraelite që pasoi në Rripin e Gazës”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi.
Shifrat nuk bëjnë dallim mes luftëtarëve dhe civilëve. “Megjithatë, një e treta e tyre janë fëmijë dhe të rinj nën 18 vjeç”, sipas ministrisë. //a.i/