E Enjte, 5 Nëntor 2026

IZRAEL – Partia e Gantz paraqet projektligjin për shpërndarjen e Parlamentit

TEL AVIV, 30 maj /ATSH-ANSA/- Partia “Uniteti Kombëtar” e Benny Gantz ka paraqitur një projektligj për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme deri në tetor, një vit pas masakrës së 7 tetorit.

Projektligji për shpërndarjen e Knesset-it të 25-të u paraqit nga ligjvënësja Pnina Tamno Sheta, kryetare e “Unitetit Kombëtar”, si pjesë e planit të Gantz për të pasur zgjedhje me konsensus të gjerë deri në tetor.

Në mes të majit, Gantz i paraqiti një ultimatum qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, duke i thënë se nëse kërkesat e tij nuk plotësoheshin deri më 8 qershor, ai do të tërhiqej nga qeveria e “Unitetit Kombëtar” të formuar pas 7 tetorit.

“Një pakicë e vogël ka marrë përsipër urën komanduese të anijes shtetërore izraelite dhe po e drejton atë drejt shkëmbinjve”, tha Gantz.

Gantz renditi gjashtë objektiva që Netanyahu duhet të përmbushë për të parandaluar tërheqjen e “Unitetit Kombëtar” nga qeveria.

Shumica e pikave sillen rreth kthimit të pengjeve dhe përfundimit të luftës, dhe të tjerat kanë të bëjnë me kthimin në normalitet për qytetarët izraelitë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›