E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

IZRAEL – Shefi i IDF-së jep dorëheqjen pas dështimit për të parandaluar sulmet e 7 tetorit

TEL AVIV, 21 janar /ATSH-DPA/- Shefi ushtarak izraelit njoftoi sot se do të japë dorëheqjen pas dështimit për të parandaluar sulmin e befasishëm nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.

Gjeneral-lejtnant Herzi Halevi shkroi në një letër se po planifikonte të largohej nga posti i kreut të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) më 6 mars.

Ai është zyrtari më i lartë izraelit që ka dhënë dorëheqjen si rezultat i sulmit ndërkufitar nga organizata militante palestineze Hamas, i cili shkaktoi vdekjen e rreth 1200 personave dhe rrëmbimin e 250 të tjerëve te mbajtur në Rripin e Gazës.

“Si rezultat i përgjegjësisë sime për dështimin e IDF-së më 7 tetor, dhe në një kohë kur ushtria ka shënuar arritje të jashtëzakonshme në rivendosjen e parandalimit dhe forcës së Izraelit, dëshiroj të përfundoj mandatin tim më 6 mars 2025″, thuhet në letrën e gjeneralit të lartë.

Pak kohë më vonë, gjenerali Jaron Finkelman, i cili është përgjegjës për Komandën Jugore të IDF dhe njëkohesisht për kufirin me Rripin e Gazës, njoftoi gjithashtu dorëheqjen e tij.

Sulmi i Hamasit i mbështetur nga Irani shkaktoi një përgjigje masive ushtarake izraelite që çoi në 15 muaj luftë në Gazë. Një armëpushim hyri në fuqi të dielën pas disa muajsh negociatash të bllokuara.

Autoriteti shëndetësor i kontrolluar nga Hamasi tha vlerësoi sot numrin e të vdekurve në territorin palestinez në 47 107 – ku 68 trupa u gjetën nën rrënoja në brezin bregdetar brenda 24 orëve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›