E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

TEL AVIV – Të paktën tetë të vrarë pasi ushtria izraelite nis operacionin e ri në Jenin

TEL AVIV/RAMALLAH, 21 janar /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite nisi sot një operacion të madh ushtarak në qytetin palestinez, Jenin në Bregun Perëndimor verior.

“Së bashku me shërbimin vendas të inteligjencës dhe forcat e policisë, operacioni anti-terrorist” i quajtur Muri i Hekurt ka nisur në qytet”, njoftoi ushtria.

“Të paktën tetë palestinezë u vranë dhe 35 të tjerë u plagosën kur filloi operacioni”, tha Ministria e Shëndetësisë në Ramallah.

Më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu foli për një operacion ushtarak në shkallë të gjerë dhe të rëndësishëm – që kishte për qëllim të garantonte sigurinë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Netanyahu tha se ushtria izraelite do të ndërmerrte veprime kudo që “boshti iranian” të shtrinte krahët e saj.

Sipas raportimeve të medieve, trupat tokësore dhe forcat speciale kane hyrë në qytet. Ka pasur edhe disa sulme me dron.

Situata në Bregun Perëndimor ka qenë shumë e tensionuar që nga masakra e kryer nga organizata islamike palestineze Hamas në Izrael në tetor të vitit  2023.

Një armëpushim ka qenë në fuqi midis Izraelit dhe Hamasit në luftën e Gazës që nga fundjava e kaluar.

Jenin konsiderohet një bastion i grupeve militante palestineze, disa prej tyre në një linjë me armikun e përhershëm të Izraelit, Iranin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›