Ibra është i irrituar: Inter, kualifikohemi ne
“Jemi më të mirët, jemi favoritë, do të kualifikohemi, sezonit tonë i mbeten edhe shtatë ndeshje”. Pa intriga, pa fat, pa kujdes. Zlatan Ibrahimoviç tregon besim të verbër te vetja & Co., si dhe ndez sfidën e kthimit Barça-Inter. Ai deklaron me krenari një betejë të vërtetë. Ish-sulmuesi i Interit, i cili prej një sezoni luan me Barcelonën e Pep Guardiolës, ka dhënë një intervistë për të përditshmen sportive katalanase “Sport”, të botuar dje, ku ofron një sfidë të nxehtë në “Kamp Nou”, ku premton se të gjithë do të japin edhe shpirtin, për të mos shuar shpresat e Barcelonës drejt finales së “Bernabeut”, më 22 maj. “Jemi favoritë, vazhdojmë të jemi favoritë. Kemi një skuadër shumë më të mirë se sa ajo e Interit dhe i kemi mundur një herë. Tashmë e dimë mirë se çfarë duhet të bëjmë për të arritur në finale dhe me ‘Kamp Noun” plot e përplot mund t’ia dalim. është njësoj si të kishim humbur 1-0, duhet të bëjmë dy gola dhe a e dini se sa kemi bërë në dy ndeshjet e fundit në shtëpi?”. Ju përgjigjemi ne, 4 ndaj Arsenalit dhe 3 ndaj Deportivos. Dhe pak më parë, katër gola të tjerë Atletikos së Bilbaos. “Për fat të keq jam dëmtuar në momentin e gabuar, por na mungojnë ende edhe shtatë ndeshje…”. Gazetarët mundohen t’i vënë në dukje se për momentin Barcelona ka të sigurta pesë ndeshje në La Liga dhe një ndaj Interit, në total gjashtë. Ndeshja e shtatë do të ishte finalja e Championsit në “Bernabeu”. Ai ecën përpara si një tren: “Mungojnë shtatë ndeshje dhe shpresoj të rinis serinë e golave, që po realizoja përpara dëmtimit”. Më pas vjen autokritika, kur ai bën një rrëfim të sinqertë: “Në krahasim me ndeshjen ndaj Interit, duhet të bëj shumë më shumë. Për të tjerat është normale, se kur humbet, mendon se mund të bëje më shumë. Për sa i përket adaptimit me skuadrën, po shkon më mirë nga sa e kisha menduar, por jo, ky nuk është Ibra, që luante tek Interi. Duhet të përmirësohem. Duhet të infiltrohem më mirë në sistemin e lojës së Barçës, ta njoh më mirë. Duhet kohë, është normale. Këtu në një ndeshje ke të paktën 5-6-7 raste të pastra, në Itali ke në dispozicion një dhe duhet ta shfrytëzosh. Prandaj pas 5 vitesh në Itali, duhet të adaptohem. është shumë ndryshe”. Ibra i qëndron besnik një prej këshillave të Guardiolës, injorimit të Murinjos. Gazetari provon ta ngacmojë, por pa rezultat: “Nuk e di çfarë ka thënë, por çdokush mund të thotë ç’të dojë. Unë nuk polemizoj. Nëse do të flasë, le të flasë, është trajner i Interit dhe kujdeset për interesat e tij, jo për të miat”. “Kam një uri të madhe në prag të ndeshjes së të mërkurës. Ndihem i karikuar me inat. Të gjithë janë të karikuar për ndeshjen e kthimit, por duhet të jemi të kontrolluar. Dhe pastaj duhet të përqendrohemi te Kserez, nëse mendojmë vetëm për javën e ardhshme, do ta humbasim përqendrimin. çdo gjë në kohën e vet: Kserez, pastaj Inter”.
#