Ibra, konfirmohet dënimi, nuk do luajë ndaj Juves
TIRANE-Zllatan Ibrahimoviç, përfundimisht nuk do të luajë në supersfidën e nesërme mes Milanit dhe Juventusit, një ndeshje që pritet të vendosë shumë gjëra përsa i përket titullit kampion në Itali. Gjykata e Apelit Sportiv ka lënë në fuqi vendimin e marrë nga gjykatësi sportiv, në lidhje me goditjen me shpullë që sulmuesi suedez i dha lojtarit të Napolit Aronika. Kësisoj, ndeshja e 5 shkurtit ka rezultuar fatale për sulmuesin suedez, që ka humbur kështu sfidën për titull ndaj bardhezinjve. Menjëherë pas vendimit të sotëm, Milani ka reaguar me tone të ashpra nëpërmjet një komunikate për shtyp, duke e quajtur atë tërësisht të padrejtë. “Vendimi i Apelit është i padrejtë, sepse ka aplikuar një sanksion që jepet për akte të dhunshme dhe në këtë rast nuk kemi patur një akt që të ishte i dhunshëm. Është një gabim i rëndë juridik”, ka bërë të ditur klubi kuqezi. Por, megjithëse do të jetë pa futbollistin e vet kryesor, Milani ka qenë i suksesshëm në dy ndeshjet e fundit në kampionat, ç’ka tregon se ekipi ka reaguar. Në takimin me Juventusin, pritet që trajneri Alegri të rikthejë në fushë sulmuesin Aleksandre Pato, që duket në balotazh me Maksi Lopez për vendin e titullarit. Ndërkohë, duket i sigurt Robinjo, që në javët e fundit ka gjetur formën e tij më të mirë.
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)