E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra si Meaca, Baxho e Vieri

I pari nga të gjithë ishte Xhuzepe Meaca, një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit italian, i mbiquajtur “Balila”. Sulmuesi, kampion bote me Italinë më 1934-ën dhe 1938-ën, përveçse ishte për 13 vite flamuri i Interit, ka luajtur edhe me Milanin në vitet 1940-1942 duke shënuar 9 gola në 37 ndeshje. Më pas veshi fanellën e Juves në sezonin ’42/’43. Megjithëse ishte në hapat e fundit të karrierës (i kishte mbushur të 30-at), golat si bardhezi mbeten një kujtim i bukur për të gjithë nostalgjikët.

Pas Meacës vjen Aldo Serena, i cili në vitet ’80-’90 i provoi të gjitha skuadrat e Milanos dhe Torinos. Nga viti 1981 deri më 1992 ai luajti te Interi, Milani, përsëri te Interi, më pas te Torino, te Juventusi, u rikthye te Interi e në fund sërish te Milani. Ishte sulmues tipik, i aftë të shënonte rregullisht kudo që luante. Në sezonin 1988/89, në moshën 28-vjeçare, kur luante me Interin, ishte golashënuesi më i mirë i Serisë A. E mbylli karrierën te Milani dy vjet më pas: asnjë gol në 10 ndeshje.

Edhe Roberto Baxho është pjesë e elitës së futbollit italian. Futbollisti më i dashur i 20 viteve të fundit fitoi kampionatin dhe Kupën Uefa si kapiten i Juventusit dhe kampionatin me Milanin. Te Interi mbërriti në moshën 31-vjeçare pas një sezoni spektakolar me Bolonjën. Me zikaltrit nuk pati një përvojë të mirë, sidomos pas marrëdhënieve të tendosura me trajnerin Marçelo Lipi. Por tifozët e Interit ende e kujtojnë me pasion ndeshjen e tij të fundit: dygolëshi në ndeshjen e play-off-it për kualifikimin në Ligën e Kampionëve ndaj Parmës në stadiumin “Bentegoti” të Veronës.

Përvoja e fundit në një nga të mëdhatë ishte katastrofike për Kristian Vierin: vetëm një gol në tetë ndeshje me Milanin në 2005/2006-ën, në moshën 32-vjeçare. Por italiani bëri një paraqitje të shkëlqyer me Juven në fillimet e karrierës, aq sa i bëri tifozët e Interit të dashurohen pas tij. Me fanellën zikaltër realizoi plot 100 gola. Por interistët nuk ia falën kalimin te “kushërinjtë” e Milanit në 2005-ën.

Përveç italianëve, kanë qenë edhe dy futbollistë të huaj që kanë provuar të luajnë me klubet elitare të Italisë. Bëhet fjalë për holandezin Edgar Davids dhe francezin Patrik Vieira. Për të parin ishin të papërtypshme vitet e kaluara si kuqezi në fillim e pë pas si zikaltër në fund të karrierës (sezoni i fundit ka qenë ai 2004/2005). Ndërmjet këtyre ekstremeve ishte përvoja si bardhezi, e cila e ngriti në nivelin e një mesfushori të kalibrit botëror.

Kurse për ish-kapitenin e kombëtares franceze karriera në Serinë A ka pësuar gjithnjë rritje. Erdhi te Milani në moshë të re, por u cilësua i panevojshëm. Te Juventusi filloi të fitojë, duke ndjekur të njëjtën rrugë edhe me Interin (në moshën 30-vjeçare): tre kampionate dhe dy superkupa italiane në tre vite.

Zllatan ibrahimoviç, 29 vjeç, ka ende shumë për të treguar me fanellën e Milanit. Me Juventusin fitoi dy kampionate në dy vite (të cilat më pas iu anuluan), ndërsa me Interin u shpall tre herë kampion i Serisë A në tre vite. Nëse Ibra luan siç di ai, tifozët kuqezi mund të fillojnë të ëndërrojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›