Ibrahim Rugova vjen nga Shqipëria

Tiparet dhe personalitetin e arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, më mirë se kosovarët e ka vrojtuar një skulptorë nga Shqipëria.
Shtatorja në bronz që do ngrihet në Sheshin e Pavarësisë “Ibrahim Rugova” do të vijë nga Shqipëria.
Komisioni i caktuar nga Komuna e Prishtinës ka bërë përzgjedhjen artistike të bocetit final të shtatores se ish-Presidentit, Ibrahim Rugova. Fituesi i saj është skulptori nga Tirana, Julian Muqollar.
Komuna e Prishtinës dhe Muqollari do të nënshkruajnë kontratë me 17 maj.
Ngritja e shtatores në bronz, komunës do ti kushtojë 135 mijë euro. Kaq ka qenë oferta e skulptorit fitues.
Fillimisht, numri i bucelave në konkurs ka qenë 33. Vetëm 6 nga to ishin kualifikuar, e sipas kritereve të konkursit, Komuna e Prishtinës ka shpërblyer me para tre ofertuesit më të mirë.
“Me çmimin e parë është shpërblyer Julian Muqollari nga Tiranë me 5 mijë euro, që do ta bëjë dhe punimin e shtatores; Shpërblimi 3 mijë euro për Luan Mulliqi nga Prishtinë dhe shpërblimi i tretë, 1 mijë euro për Fatmir Hoxha nga Prishtinë”, thuhet në njoftimin e rezultatit final në konkursin e projektimit.
Luan Mulliqi kishte ofertuar me çmimi prej 89.900,00 euro, kurse Fatmir Hoxha-me çmim prej çmimi 170.000,00 euro. Por, sipas ekspertëve të angazhuar nga komuna, kanë qenë disa kritere tjera për të fituar konkursin, si ;Kompozicioni artistike i shtatores që duhet të jetë në harmoni dhe të respektojë dimensionet dhe funksionin e sheshit; Shprehja figurative me të cilën reflektohen e tiparet dhe personaliteti i Presidentit Ibrahim Rugova si lider, udhëheqës i urtë, burrështetas dhe shkencëtar ; Shkalla e integrimit të shtatores në hapësirën ku planifikohet të vendoset (E prezantuar 3D pamje nga minimumi 3 kënde të ndryshme); Origjinaliteti, si dhe poentimi financiar.
“Fituesi i kontratës obligohet që brenda 90 ditëve kalendarike nga dita e nënshkrimit të kontratës, ta sjell shtatoren dhe ta vendos në postament”, tha për Indeksonline, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj.
Shtatorja do të vendoset në hapësirën e "Sheshit të Pavarësisë" në qytetin e Prishtinës. Kompozimi i bustit do të përfshijë pamjen figurative të shtatit të Ibrahim Rugovës. Lartësia e shtatores do të jetë (orientuese) 350-400 cm. Materiali i fortë përfundimtar i bustit është bronzi. /Indeksonline/