Shumë pyetje për ISPK-në

Pavarësisht se Inspektorati Policor i Kosovës muaj më parë ka konfiskuar një sasi të arit me pretekstin se ishte ari i vjedhur në dhomën e dëshmive në policinë e Pejës, hetimet për këtë rast ende nuk janë mbyllur. Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani nuk ka dashur të fliste shumë për vendimin e gjykatës për shfajësimin e pjesëtarit të policisë i cili ishte arrestuar për këtë rast. Me gjithë insistimin e anëtarëve të Komisionit për Punë të Brendshme, Shishani ka thënë se nuk dëshiron të përzihet në punët e prokurorisë, raporton KTV-ja.
Deputeti i LDK-së, Anton Çuni ka kërkuar shumë shpjegime nga kryeshefi Shishani, duke thënë se IPK-ja kishte bërë shkelje ligjore gjatë hetimit të rastit. Ndërkohë, deputeti i “Vetëvendosjes”, Rexhep Selemi ka akuzuar Inspektoratin për punë selektive e madje të ndikuar edhe politikisht. Selimi ka kërkuar llogari për faktin pse janë suspenduar policët që arrestuan truprojat e ish-shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, ndërkohë që, sipas tij, e njëjta gjë nuk ka ngjarë me zyrtarët policorë që kanë ndërhyrë dhunshëm në protestat e Lëvizjes “Vetëvendosje”./Indeksonline/