AAK mobilizohet për ndryshim të madh në kryeqytet

Kryetari i AAK-së për Prishtinën, Besnik Tahiri, takoi sot Këshillin Drejtues ku me këtë rast informoi me punën që po bën dega dhe nëndegët në fuqizimin e strukturës, ndërtimin e platformës, komunikimin e vazhdueshëm me qytetarët e Prishtinës dhe përpilimin e listës kandiduese kredibile.
Takimi me Këshillin Drejtues, është në funksion të fuqizimit të strukturave dhe kapaciteteve si në teren ashtu dhe përbrenda ekipit sektorial të Aleancës për Prishtinën.
Tahiri kërkoi nga kolegët mobilizim dhe bashkërendim të aktiviteteve, për muajt në vijim dhe në të ardhmen.
Ai paraqiti në vija të trasha platformën qeverisëse ku sipas kësaj platforme, vendosen kornizat e programit të ardhshëm qeverisës të Aleancës. Puna e grupeve profesionale e cila është duke vazhduar tanimë për disa muaj, do të formësohet në një dokument gjithëpërfshirës të detajuar i cili do të adoptohet në Kuvendin e punës.
Në takim u kërkua vënia në funksion e potencialit të strukturës dhe aspektit profesional për të ofruar para qytetarëve një platformë të fuqishme qeverisëse për Prishtinën.
Anëtarët e Këshillit Drejtues shprehën gatishmërinë për ta mbështetur fillimisht fuqizimin e strukturës e më pastaj mobilizimin për përkrahjen e fuqishme të kryetarit dhe kandidatit për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri./Indeksonline/