E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja monumentet dhe ngjarjet që hyjnë në pakon turistike të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar sot në Prishtinë një takim rajonal për trashëgiminë kulturore. Në të kanë marrë pjesë përfaqësues të vendeve të rajonit. Një prej temave kryesore të këtij takimi ishte identifikimi i vendeve / pasurive të trashëgimisë kulturore të Kosovës e që do të përfshihen në produktet turistike regjionale. Një konsultim i këtillë po ndodh në vendet e rajonit, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Kroaci, Malin e Zi, Maqedoni, Serbi dhe në Shqipëri, thuhet në njoftimin e MKRS-së. Këshilltari për Trashëgimi Kulturore në MKRS, Burim Maraj, i cili njëherësh është edhe anëtar i Procesit të Lubjanës, tha se Kosova ka punuar në këto dy vjet në identifikimin e monumenteve dhe gjithë thesarit tjetër kulturor, për ta promovuar atë në pakon turistike të vendit tonë. Një aspekt tjetër që përmendi Maraj ishte edhe ndërtimi i Qendrës për Informim dhe Promovim të Trashëgimisë Kulturore, që MKRS do ta ndërtojë në Parkun Arkeologjik në Prishtinë. Punimet për këtë qendër do të nisin shumë shpejt. Ai shprehu gatishmërinë e MKRS-së që të jetë pjesë e çdo nisme rajonale për trashëgiminë dhe tha se Kosova trashëgiminë kulturore e sheh si një pikë afrimi mes njerëzve dhe vendeve.

Në takim u identifikuan produkte ekzistuese turistike (itinerare turistike), qe organizohen nga agjenci private turistike e që në vete përmbajnë edhe vizitat në këto lokalitete:

Ulpiana, Qyteti i Vushtrrisë ( Kalaja, Ura ), Kalaja e Artanës, Kisha e Letnicës, Fushëbeteja e Kosovës, Manastiri në Graçanicë, Vizita në këmbë e Prishtinës (Muzeu Etnologjik, Muzeu i Kosovës, xhamitë, shtëpitë e vjetra, biblioteka, restorante dhe jeta e natës), Shpella e Gadimes, Brezovica, Prevalla, Prizreni (Kalaja, Hamami, xhamitë, kishat ortodokse dhe katolike), Rahoveci (vreshtat), Gjakova, Bajram Curri, Gryka e Valbonës, Peja, Deçani (kullat) dhe Prekazi.

Gjate mbledhjes u diskutuan edhe ngjarjet që janë pjesë dhe mbështesin zhvillimin e turizmit kulturor, me ç’rast u përmendën Doku Fest, Bunar Fest, Jazz Fest, etj. Pastaj garat rally dhe të motoçikletave në Shalë të Bajgorës. U identifikuan edhe OJQ-të që ofrojnë itinerare të turizmit natyror (Hikingnjeri, Snownjeri)

Konsultimi organizohet brenda projektit të Komisioni Evropian “Improving Cooperation in South-East Europe by Ations for Strengthening the Regional Cooperation Council”, implementohet nga The Central European Initiative dhe koordinohet nga sekretariati i Procesit të Lubjanës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›