E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahim Rugova vuri themelët e shtetit te Kosovës

Në gjashtëvjetorin e vdekjes së ish - Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule tek varri i tij krerët më të lartë të shtetit dhe të partive. Ata gjithashtu kanë vizituar edhe familjen Rugova.

Në këtë gjashtëvjetorë është thënë se trashëgimia që ai ka lënë po shërben edhe në kohën e sotme, që Kosova të ecë drejtë rrugës së saj evropiane. Gjithashtu është thënë se ai ka qenë është dhe do të mbetët gjithmonë në zemrat e të gjithëve për punën dhe kontributin që ka dhënë, që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran.

Përderisa presidentja e vendit, Atifete Jahjaga nuk ka dashur të deklarohet tek varri i tij, por vetëm tek familja Rugova, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Rugova duhet të ketë respektin e të gjithëve për kontributin që ka dhënë në shtetndërtim.

“Sot jemi këtu për të bërë nderimet shtetërore për Presidentin Rugova, për të bërë vlerësimin dhe nderimin më të lartë shtetërorë për jetën, veprën, personalitetin dhe për kontributin e Presidentit Rugova për Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe për perspektivën e Kosovës evropiane. Jeta dhe vepra e Presidentit Rugova do të vlerësohet dhe respektohet me dinjitet të lartë prej institucioneve, shtetit të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë ai.

Homazhi tek varri i Rugovës ka bërë edhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ka konsideruar veten të privilegjuar që ka mundur të jetë një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

“Na mungon tash e gjashtë vjet të rënda që ka kaluar Kosova, një njeri që ka qenë figurë unikale në historinë më të re të Kosovës dhe popullit shqiptar, një njeri që ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme. Prandaj kam pas privilegjin të jem një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe në të njëjtën kohë të mësoj shumë nga njeriu i madh i kombit tonë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa Isa Mustafa, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë që e themeloi Rugova, ka deklaruar se përveç themelimit të LDK-së, Rugova ka vënë edhe themelet e shtetit.

“Ne të gjithë kemi respekt shumë të lartë për veprën e tij, për urtësinë e tij, për mençurinë e tij dhe për mënyrën se si ai e udhëhoqi Kosovën në ditët më të vështira dhe si e formoi LDK-në, kur u dashke që të dal dikush dhe t’i përgjigjejë zërit të intelektualëve, në mënyrë që të shuhej një sistem diktatorial që ishte atëherë dhe të fillojë pluralizmi politik dhe ndërtimi i demokracisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Nderime tek varri i Rugovës kanë bërë edhe përfaqësuesit tjerë të partive politike, të cilët Rugovën e quajtën projektues të shtetit të pavarur të Kosovës.

AAK-ja e ka quajtur shembull se si punohet për vendin e LDD-ja janë shprehur se me gjithë mungesën fizike të Rugovës, madhështia e tij vetëm po rritet.

“Sot jemi në nderim të jetës dhe veprës madhështore të presidentit historikë të Kosovës, doktor Ibrahim Rugova, njeriut që e projektoi shtetin e pavarur të Kosovës, një shtet demokratik, shtet properëndimor, me vlerat më të mira të traditës tonë dhe vlerave perëndimore. Sot kur e kujtojmë, edhe sot ndjejmë zbrazëti në jetën tonë politike, ndjejmë një mungesë të madhe të prezencës së tij, të punës së tij dhe të gjithë asaj që bëri për Kosovën, është shembulli më i mirë se si luftohet për vendin dhe si punohet për vendin”, ka thënë Melihate Tërmkolli nga AAK, e cila ishte bashkëpunëtore e Presidentit Rugova.

Kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli duke kujtuar Presidentin Ibrahim Rugova, ka thënë se ai ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë në zemrat e të gjithëve.

Ndërsa kreu i LDD-së, Nexhat Daci ka pohuar se madhështia e figurave shihet se me distancën ato nuk zvogëlohen, por përkundrazi rriten, duke konsideruar se Kosova ka nevojë për mençuri, për fisnikëri dhe për punë të përgjithshme për shtetin dhe popullin e saj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›