Varet nga ju

Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon ka mirëpritur fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, që filloi të enjten mes Komisionit Europian dhe Kosovës.
Sipas Fajon, ky është një lajm i mrekullueshëm për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit që kanë mbetur prapa murit të vizave në Ballkanin Perëndimor.
“Njerëzit meritojnë këtë privilegj të udhëtimit pa viza në momentin kur Qeveria t’i ketë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme. Tani është momenti për ta kapur këtë mundësi”, ka thënë Fajon në një komunikatë për medie.
Ajo ka theksuar se Parlamenti Europian është mbështetës i fuqishëm i liberalizimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në të kaluarën shumë shpesh i ka kërkuar Komisionit Europian dhe shteteve të BE-së që të nisë dialogu për liberalizim të vizave me Kosovën.
“Ne do ta vazhdojmë mbështetjen tonë. Është me rëndësi të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës që politikanët e përgjegjshëm t’i bashkojnë të gjitha përpjekjet e tyre në mënyrë që të arrijnë progres konkret në zbatimin e reformave të nevojshme për të garantuar sigurinë e dokumenteve të udhëtimit, kufij të sigurt, rendin publik dhe ta forcojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka porositur Fajon.
Ajo ka potencuar se “shpejtësia e procesit do të varet tërësisht nga Qeveria e Kosovës”.
Eurodeputetja sllovene ka thënë se ndjenja e lirisë në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor do të arrihet vetëm atëherë kur edhe qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në BE.
Ajo ka paralajmëron një vizitë në Prishtinë kah fundi i muajit shkurt. Fajon njihet si një avokuese e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe për këtë ajo është mjaft popullore atje. Madje emrin e saj e mban edhe një kafiteri në kryeqytetin shqiptar.
Dialogun e vizave e ka përshëndetur edhe raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cila ka vlerësuar se izolimi i kosovarëve do të ishte katastrofë.
Lunacek, e cila është zëdhënëse për politikë të jashtme e fraksionit të të gjelbërve dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian, ka theksuar se “shkuarja e Komisares së BE-së, Malmström, në Prishtinë dhe hapja e dialogut me Kosovën për heqjen e vizave sjell një hov të ri në procesin e afrimit me BE-në të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Fillimi i dialogut për heqjen e vizave me Kosovën është shenjë e stabilizimit dhe normalizimit të rajonit. Përveç kësaj, futet në proces përfundimi i politikës së përjashtimit kundrejt Kosovës, sepse të gjithë qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor mund të lëvizin të lirë në BE prej fundit të vitit 2010”, ka thënë Lunacek, raporton DW.
Ajo ka shtuar më tej se pas vizitës së Malmströmit në Kosovë, “Komisioni duhet të prezantojë një road- map (udhërrëfyes) për liberalizimin e vizave”.
“Qeveria e Prishtinës duhet të zbatojë me përkushtimin e nevojshëm detyrat në rrugën drejt heqjes së detyrimeve të vizave, duke përfshirë edhe shoqërinë civile të vendit”, ka porositur Lunacek.
Brukselit dhe Prishtinës i kërkohet që të nxjerrin nga izolimi i pamerituar qytetarët kosovarë. Izolimi është për popullsinë kosovare, dy të tretat e të cilës janë nën 25 vjeçarë, një katastrofë. Ai përbën një problem edhe për besueshmërinë e BE-së. “Liria e lëvizjes, një nga shtyllat themelore të mendimit evropian, nuk duhet t’u mohohet ende njerëzve në Kosovë”, ka thënë ajo.