E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ibrahimaj: 2 milionë startup-e të regjistruara, 15 000 të punësuar në sektorin e IT-së

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tha se, “sot janë 2 milionë startup-e të regjistruara ndërsa janë 4500 subjekte që operojnë në fushën e IT dhe 15 mijë të punësuar në sektorin e IT-së, që ka dhe pagat më të larta”.

E pranishme në takimin që u zhvillua sot në Tiranë me rinj, fitues që do të financohen nga thirrja Startup Grant 2025, ku merrte pjesë dhe kryeministri Edi Rama, ministrja Ibrahimaj tha se, “tashmë ekosistemi i startup-eve që është krijuar në Shqipëri, po kontribuon në rritjen e ekonomisë së vendit ndërsa eksportet e shërbimeve të IT llogariten në 200 milionë euro”.

“Pas suksesit të vitit të kaluar me startup-e që kemi mbështetur, këtë vit presim të shohim ide të reja që do të sjellin energji dhe zhvillim të qëndrueshëm. Programi për mbështetjen e kompanive startup dhe lehtësuesit e startup-eve nëpërmjet granteve dhe masave mbështetëse 2025 është krijuar nga qeveria shqiptare për të stimuluar sipërmarrjen inovative duke ofruar financim për kompanitë startup më premtuese shqiptare”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje se, sot startup-et për inovacionin, për teknologjinë e informacionit, janë mjaft të kërkuara nga tregu.

Ajo tha se, tre janë shtyllat kryesore ku është përqendruar qeveria për mbështetjen e këtij sektori: Legjislacioni fleksibël që i mundëson starup-ve të regjistrohen me një klik; vënia në dispozicion e 10,5 milionë eurove, 2 milionë euro nga të cilat kanë qenë kontribut i BE-së dhe krijimi i një ekosistemi ku është e thjeshtë të diplomohesh.

Ibrahimaj tha se, “qeveria mundëson financim e të rinjve në fushën e kodimit dhe teknologjive ku janë aftësuar rreth 2 mijë të rinj që jo domosdoshmërisht që kanë mbaruar për IT, por sot punojnë në këtë sektor në shumë kompani”.

Sipas saj, “Qeveria ka qenë pararojë e digjitalizimit dhe të inovacionit dhe këtë e tregojnë shërbimet dhe shifrat e e Albania, ndërsa kemi përqafuar zhvillimet në sektorin e IA”.

“Startup-et janë faktor kryesor në rritjen e produktivitetit dhe ne kemi financuar startup-e që po kontribuojnë në sektorët e bujqësisë, energjia, turizmit dhe teknologjisë. Sot kemi 175 startup nga të cilat 89 janë startup fituese të këtij vitit dhe mbështetja për këtë sektor do të vijoj”, u shpreh ajo.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›