E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Investimet e huaja direkte në 400 milionë euro, rezerva valutore në 7.6 miliardë euro

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se gjatë tremujorit të parë të këtij vit, rritja ekonomike e Shqipërisë prej 3.71% vazhdon të qëndrojë mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila rezultoi 3.6%, si dhe mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila është ndjeshëm më e ulët, në nivelin 1%.

Në një konference për mediet, Ibrahimaj theksoi se sektorët me kontributin më të madh në rritjen ekonomike ishin administrimi, shëndeti publik dhe arsimi, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, ndërtimi, si dhe pasuritë e paluajtshme.

Ajo shtoi se dy degët që rezultuan me rënie të aktivitetit ekonomik prej 0.49% ishin bujqësia, pyjet dhe peshkimi. “Në këtë sektor, performanca negative është ndikuar kryesisht nga blegtoria dhe peshkimi, ndërsa bujqësia ka shënuar një rritje prej 8.7%. Këto rezultate konfirmohen edhe nga ecuria e eksporteve të këtij sektori, të cilat përbëjnë një tregues shumë të mirë të zhvillimit të bujqësisë”, nënvizoi Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, vijoi ajo, industria, e cila përfshin disa degë, pati një performancë negative. Aktiviteti industrial u ngadalësua me 2.17%, kryesisht si rezultat i dobësimit të industrisë nxjerrëse dhe sektorit tekstil. Ndërkohë, sektori i energjisë elektrike dhe industria përpunuese ushqimore shënuan rritje.

Sa i takon strukturës së ekonomisë, ministrja shtoi se ajo vijon të dominohet nga sektori i shërbimeve, i cili përbën 49.6% të ekonomisë shqiptare. Pas tij renditen bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 15.5%, ndjekur nga industria me 10.2% dhe ndërtimi me 10.7%.

Duke iu referuar të dhënave nga nga Instituti i Statistikave apo Banka e Shqipërisë, Ibrahimaj tha se “analiza tregon se ekonomia shqiptare mbetet e qëndrueshme dhe se treguesit makroekonomikë dëshmojnë jo vetëm një rritje të qëndrueshme në afatshkurtër, por edhe një rezistencë më të madhe ndaj krizave që mund të shfaqen në të ardhmen”.

Ajo pohoi se borxhi publik në tremujorin e parë të vitit ra në nivelin 48.8%, nga 54.1% që ishte në tremujorin e parë të vitit 2025.

Sa i takon investimeve të huaja direkte, ato kanë vijuar të rriten ku në tremujorin e parë të 2026 arritën në 400 milionë euro, me një rritje prej 11.9% krahasuar me tremujorin e parë të 2025-ës. Ndërsa në nivel stoku, tha Ibrahimaj, investimet e huaja direkte kanë arritur tashmë në 17.4 miliardë euro, me një rritje prej 12.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë kësaj periudhe rezerva valutore ka arritur në nivelin 7.6 miliardë euro, në rritje me 12.5%. “Rezerva valutore është një tregues i rëndësishëm për të kuptuar qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare përballë goditjeve dhe luhatjeve të ekonomisë botërore”, nënvizoi ministrja.

Ibrahimaj shtoi se pjesa më e madhe e flukseve të investimeve ka ardhur nga Austria, me rreth 60 milionë euro, e ndjekur nga Italia me 49 milionë euro, Holanda me 48 milionë euro, si edhe Turqia dhe Kosova.

Sa i takon shpërndarjes sektoriale të investimeve, ministrja bëri me dije se 42.5% e tyre janë përqendruar në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, të ndjekura nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 16.8%, ndërsa 9.4% janë investuar në sektorin e energjisë elektrike, ujit dhe gazit.

Sipas saj, këta janë sektorët kryesorë që kanë tërhequr investimet e huaja në vend.

Ministrja vuri në dukje gjithashtu se gjatë pesë muajve të parë të vitit janë regjistruar 9.591 biznese të reja të cilat kanë kontribuar edhe në rritjen e qarkullimit të bizneseve në ekonominë shqiptare. “Në total, bizneset shqiptare kanë realizuar një qarkullim prej 142.8 miliardë lekësh më shumë sesa në pesëmujorin e parë të vitit 2025, ose një rritje prej 9.3%”, tha ajo.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›