Ibrahimaj: Sazani mbetet në pronësi të shtetit, po negociohet pjesëmarrja si bashkinvestitor

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se po vijon puna për zhvillimin e projektit turistik në ishullin e Sazanit.
E pyetur në një konferencë për shtyp, ministrja tha se në zonën e Sazanit kanë nisur disa veprime në funksion të zhvillimit të projektit.
“Në zonën e Sazanit kemi filluar punën për të bërë disa veprime në lidhje me zhvillimin e zonës. Sazani është një ishull i cili do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar. Shteti shqiptar në atë projekt do të futet si bashkinvestitor dhe bashkëpronar”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo bëri të ditur se aktualisht po zhvillohen negociata me kompaninë përkatëse lidhur me përqindjen që do të ketë shteti në këtë investim, si dhe për detajet e zbatimit të projektit.
Sipas saj, sapo të ketë një pasqyrë më të qartë mbi kushtet, përqindjet dhe afatet e realizimit, të gjitha detajet do të bëhen transparente për publikun.
“Jemi duke negociuar me kompaninë sa i përket përqindjes që shteti do të ketë në zhvillimin e projektit dhe, padiskutim, sapo të kemi një pasqyrë më të qartë se si do të jenë kushtet, sa përqind do të ketë shteti dhe afatet e realizimit të projektit, do t’i bëjmë transparente”, tha Ibrahimaj.
/gj.m/r.e/