Ibrahimaj: Sektori i bujqësisë kontribuon me 19 % në PBB, por merr vetëm 6% të totalit të kredive bankare

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tha se, ekonomia shqiptare në dekadën e fundit, ka konsoliduar trendin e rritjes për të ardhmen.
E pranishme në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin gjatë diskutimit të pr/ligjit, “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit” , Ibrahimaj bëri një prezantim të situatës makroekonomike të vendit dhe konteksit mbi bazën e të cilit është menduar ngritja e këtij instrumenti i ri financiar, që synon zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ekonomia në Shqipëri vitet e fundit ka konsoliduar trendin e rritjes. Në 10 vitet e fundit PBB është 2,5- fishuar duke u rritur nga 9,6 miliardë euro në 2013 në 25 miliardë euro në vitin 2024. Të ardhurat për frymë janë trefishuar nga 3324 euro në 10, 334 euro dhe rritja ekonomike shënon 3,4% duke lënë vijueshmëri për trend në rritje në të ardhmen. Tregu i punës ka njohur përmirësime të ndjeshme sa i takon uljes së papunësisë dhe rritjes së punësimit”, u shpreh Ibrahimi.
Sipas saj, rritja e pagave ka qenë një tjetër faktor që ka ndikuar pozitivisht në ekonomi dhe në të ardhurat e popullsisë shqiptare paga mesatare mujore bruto është rritur nga 372 euro në 2013 në 850 në 2024, ndërsa paga minimale ka kaluar nga 157 euro në 400 euro duke reflektuar përmirësim të kushteve të jetesës dhe borxhi publik është reduktuar nga 70, 4% në 54,7% duke lehtësuar barrën fiskale dhe duke kursyer 300 milionë euro në vit në buxhetin e shtetit.
Gjithashtu vijoi Ibrahimaj, eksportet janë 3-fishuar në një dekadë duke arritur në 9 miliardë euro në 2024. Eksportet e mallrave janë rritur me 72 % ndërsa janë 4-fishuar eksportet e shërbime ku kryeson turizmi, IT etj.
Investimet publike kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë duke variuar nga 5,1 në 7,8% të PBB.
Sektori financiar gjithashtu ka performuar pozitivisht, u shpreh ministrja.
“Totali i raportit të kredive të këqija ka shkuar nga 24,8 % ndaj totalit në 4,2%. Ndërsa totali i depozitave ka arritur në 1.36 trilionë lekë me një rritje mbi 100% krahasuar me 2013”, tha ajo.
Megjithatë, u shpreh Ibrahimaj, ekonomia përballet me sfida në financim që kufizojnë potencial për zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë. “SME që përbëjnë mbi 90 % të ekonomisë kanë qasje të kufizuar në financim krahasuar me vendet e rajonit e më gjerë. Hendeku i financimit të SME-ve vlerësohet 9,4% e PBB ose 1 miliardë usd. Po ashtu sektori i bujqësisë ndonëse kontribuon me 19% në PBB merr vetëm 6% të totalit të kredive bankare, ndërkohë që bankat janë të orientuara drejt investimeve me vlera të mëdha”, tha ajo.
Në këtë kontekst vuri në dukje Ibrahimaj, propozohet projektligji për ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, e ngjashme me bankat apo institucionet kombëtare promovuese që funksionojnë në Bashkimin Evropian, që ka synim kryesor lehtësimin e qasjes në financë të sektorëve të nënfinancuar të ekonomisë.
“Krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit është një hap i rëndësishëm për forcimin e klimës së biznesit në vend dhe për përafrimin e Shqipërisë me modelet më të avancuara evropiane, duke i hapur rrugën një ekonomie më të fortë, konkurruese dhe të zhvilluar”, deklaroi Ibrahimaj. /j.p/