E Martë, 3 Nëntor 2026

Filialet e Bankës Shqiptare të Zhvillimit në degët e Postës, akses në financë pensionistëve dhe studentëve

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se, “Banka Shqiptare për Zhvillim, përveç mbështetjes të SME-ve, sektorit privat, bujqësisë dhe fasonerisë me kredi të buta, do të rrisë aksesin në financë të pensionistëve dhe studentëve nga depozitat përmes Postës Shqiptare”.

E pranishme në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin gjatë diskutimit dhe miratimit të projektligjit për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, Ibrahimaj tha se, “banka synon të financojë me kredi sektorin privat. Individëve do i lehtësohet aksesi në financim përmes produkteve të kursimit, (depozitave bankare)”.

“Pra, target grupet që nuk kanë kursime, depozita, si për shembull pensionistët dhe studentët, do të kenë më tepër akses në financë përmes Bankës së Zhvillimit”, tha ajo.

Ibrahimaj theksoi se, “bujqësia do të jetë një sektor që do të mbështetet, por edhe tekstilet. Prodhuesit e tekstileve janë mbështetur më parë me garanci sovrane të përkohshme. Banka e Zhvillimit do t’i garantojë atyre një garanci të përhershme”.

Sipas saj, BSHZH ka dy kolona, një për aktivitet promovues dhe një për aktivitet tregtar (do të ofrojë instrumente për qytetarët). Filialet e Bankës do të jenë pikat e Postës Shqiptare”.

Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj u ndal gjithashtu në kriteret që duhet të plotësojnë bizneset në bujqësi për të përfituar kredi me norma të ulëta interesi, teksa vuri në dukje se, eksperienca në vendet e tjera ka treguar se Banka e Zhvillimit do të ndihmojë edhe në përthithjen dhe shpërndarjen efektive të fondeve të Bashkimit Evropian. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›