E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimi: Referendumi, kalon më parë nga 2/3 e votave të Kuvendit

Bledar Hoti

Berisha mund ta kërkojë si Qeveri mbajtjen e referendumit

BLEDAR HOTI

Juristi Gent Ibrahimi shprehet se rruga e vetme e bërjes së referendumit popullor, të shpallur nga Kryeministrit Sali Berisha, është ajo që parashikohet në nenin 177 të Kushtetutës. “Mendoj që mënyra e vetme për të ecur më tej, një referendum për ndryshimin e rregullimit që Kushtetuta aktualisht i bën çështjes së imuniteteve është mënyra e parashikuar nga neni 177, ku 2/3 duhet të bien dakord për ta çuar çështjen në referendum. Neni 177 parashikon dy opsione. Opsioni i parë është, kur një shumicë dërrmuese në Parlament, prej 2/3 mblidhen dhe vendosin që “po” do ta ndryshojmë Kushtetutën. Opsioni i dytë është, kur po kjo shumicë, për arsye politike, mendon që nuk e ka legjitimitetin e duhur apo çështja është delikate apo disi komprometuese dhe për këtë arsye mendojnë që ta delegojnë vendimmarrjen tek sovrani, por përsëri duhet vullneti i 2/3 të Parlamentit”, deklaron për AS TV konstitucionalisti Genti Ibrahimi. Pra, për të shkuar drejt referendumit, duhet që më parë 2/3 e Parlamentit të jetë dakord, gjë që ka pak gjasa të ndodhë, pasi kjo situatë e re është pasojë e mungesës së konsensusit mes palëve. Sipas tij, për këtë çështje nuk mund të zbatohet neni 150 i Kushtetutës, të cilin, siç thotë ai, mund të ketë pasur në mendje Kryeministri kur u shpreh me bindje që referendumi do të bëhet, pavarësisht disa vështirësive. Me sa duket, Kryeministri e kërkon shpjegimin për nismën e tij apo si të thuash, forcën në legjitimimin për nismën e tij tek neni 150 i Kushtetutës, që rregullon referendumin e zakonshëm, aty thuhet: “Këshilli i Ministrave mund të propozojë mbajtjen e një referendumi në lidhje me një çështje të një rëndësie të veçantë. Ai dhe shumica pas tij janë të bindur se kjo çështje është e një rëndësie të veçantë dhe për pasojë Këshilli i Ministrave mund të propozojë mbajtjen e një referendumi. Sidoqoftë, për sa kohë që kjo çështje e rëndësisë së veçantë është e rregulluar në Kushtetutë, unë nuk besoj se kjo është rruga për të shkuar tek ndryshimi i kërkuar”, deklaron Ibrahimi. Kryeministri ka deklaruar se do ti kërkojë Këshillit të Legjislacionit të Kuvendit për gjetjen e një zgjidhjeje për mundësinë e referendumit. Kushtetuta, pikërisht në nenin 150, përcakton se 1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe ti kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. 2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum. 3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj. Nga ana tjetër, PS-ja ka shpallur idenë e mbajtjes së referendumit për 4 çështje të caktuara, duke përfshirë veç imunitetit, reformën në drejtësi, importin e mbetjeve dhe kufirin detar. Mësohet se PD-ja ka shprehur rezerva në lidhje me këto dy çështjet e fundit. Për mbetjet është kundër, ndërsa për kufijtë detarë ligji parashikon që, për çështje territoriale, nuk mund të ketë referendum.

Kodheli: Berishës nuk intereson integrimi,

Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, në konferencën e djeshme për shtyp, u shpreh se ne nuk mund të pranojmë që imuniteti të konsiderohet si tejet i rëndësishëm për integrimin e vendit, gjë që në fakt është i vërtetë, kurse pavarësia e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit të injorohen totalisht nga kjo qeveri. Ne nuk do të pranojmë që drejtësia të vazhdojë të mbetet e gjunjëzuar përpara pushtetit të Sali Berishës. Në fakt Berishës nuk i intereson aspak imuniteti, as integrimi. E vërteta është se e gjithë kjo propagandë synon vetëm të mbulojë dështimet e këtij

pushteti. Berisha ka hedhur idenë e mbajtjes së referendumit. Shumë dakord për referendumin, por bashkë me votën për kufizimin e imunitetit, për të cilin të gjitha palët janë dakord se duhet hequr, të fusim në referendum dhe të kërkojmë mendimin e qytetarëve edhe për propozimet tona, që sigurojnë një drejtësi të pavarur. Të kërkojmë mendimin e shqiptarëve edhe për ligjin që lejon importin e plehrave. Tu kërkojmë bashkëqytetarëve tanë të shprehen edhe për hapësirën detare që Sali Berisha do tu falë për së dyti fqinjëve tanë.

Shqiptarët le të vendosin dhe do të vendosin, tha Kodheli.

PD, Bardhi: Rama ka frikë nga zëri i popullit nuk ndërmerr referendum

Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi e cilësoi si absurde kërkesat e opozitës për mbajtjen e një referendumi. Pavarësisht nga fobia e z.Rama nga zëri i qytetarëve shqiptarë, referendumi për heqjen e imunitetit do të thirret dhe zëri i qytetarëve do të dëgjohet dhe do të respektohet plotësisht. Neni 155 i Kushtetutës përcakton se: Të drejtën e thirrjes së referendumit në Shqipëri e kanë 50 mijë qytetarë, 1/5 e deputetëve, KM-ja. PD-ja, në ditët që vijnë në konsultim me Këshillin Konsultativ të Parlamentit dhe me aleatët e saj, do të vendosë se cilën nga rrugët kushtetuese do të përdorë për thirrjen e referendumit popullor, për heqjen e imunitetit, deklaroi Bardhi. Më tej ajo theksoi se kërcënimi i PS-së për thirrjen e referendumeve të tjera si kundërpërgjigje e thirrjes nga PD-ja e referendumit për heqjen e imunitetit, është mjerane dhe qesharake. PD-ja fton PS-në të ushtrojë që nesër të drejtën kushtetuese të referendumit për çdo çështje që e gjykon të rëndësishme. Por, ajo nuk e bën këtë, sepse ka frikë nga zëri i qytetarëve të thjesht. Z. Rama dëgjon vetëm zërin e miliarderëve të kupolës së PS-së, mirëpo për imunitetin pas 10 vitesh bllokimi, politikanët duhet të heshtin, tani radha është e qytetarëve. Shqipëria pret verdiktin e tyre!.

Ibrahimi: Referendumi, kalon më parë nga 2/3 e votave të Kuvendit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›