E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimovic nuk joshet nga paratë e Cityt

ROME-Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, thotë se ai kurrë nuk është joshur nga ofertat fitimprurëse të Manchester Cityt që iu bënë verën e kaluar.
29-vjeçari u kërkua nga klubi anglez verën e kaluar kur dëshironte të largohej për shkak të raporteve jo të mira me menaxherin Pep Guardiola, por në fund preferoi një klub si Milani që ishte i gatshëm të luftonte për tituj menjëherë.

“Kam pasur disa biseda me Cityn dhe ata kishin një projekt fantastik, por unë nuk jam një prej atyre lojtarëve që dëshironin të shkonin atje dhe të luanin për para. Për mua, është e rëndësishme të shoh çfarë të ardhme ka, çfarë mundësish ka. Për mua, projekti i Cityt nuk është i tashëm”.

“Mendoj se brenda disa vitesh ata do të jenë një top-ekip, por Milani që tani është në maje dhe për mua, dua të luaj në nivelin më të lartë tash që jam 29-vjeçar, se sa kur të bëhem 32. Nuk ishte për paratë. Nëse jeni një lojtar i madh, paratë janë gjithkund”, ka thënë suedezi.

Ibra po shijon një fillim të shkëlqyeshëm të sezonit të tij të parë te Milani, duke shënuar 13 gola në 23 ndeshje dhe duke ndihmuar Rossonerët të qëndrojnë me tre pikë diferencë në maje të tabelës së Serie A.

(d.b/Telegrafi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›