E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elis Bakaj rrezikon të kthehet nga Dinamo e Bukureshtit

TIRANË - Ëndrra e lojtarit më të mirë shqiptar për vitin 2010, Elis Bakaj, për të luajtur tek Dinamo e Bukureshtit mund të përfundojë pa nisur ende mirë.
Megjithëse firmat janë hedhur në kontrata, kalimi i Elis Bakajt tek Dinamo e Bukureshtit është në rrezik sepse klubi rumun mund të mos jetë në gjendje të paguajë Dinamon e Tiranës sipas marrëveshjes së arritur.
Gazeta rumune “Prosport” shkruan se ka lindur një problem i madh në selinë e “qenve të kuq”, siç quhet Dinamo e Bukureshtit në Rumani dhe ky ka të bëjë me një pagesë që duhet të ishte kryer nga Karlsruhe e Gjermanisë për futbollistin Andrei Kristea, pagesë që ende nuk është bërë dhe kjo page shkon në 375 mijë euro.
Drejtuesit e Dinamos ishin bazuar pikërisht në këtë sasi parash që do të merrnin nga gjermanët për të paguar 300 000 eurot që duhen për Bakajn.
Natyrisht, rumunët do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje, aq më shumë pasi Bakaj debutoi me një eurogol në një ndeshje miqësore të luajtur pak ditë më parë në Antalia të Turqisë, realizuar me një gjuajtje nga 18 metra largësi, ndërsa u shfaq si lojtari më i mirë i Dinamos në fushën e lojës me 22 pasime të sakta dhe 4 gjuajtje drejt portës kundërshtare, madje ishte goli i tij që siguroi fitoren 1-0.
Lojtari i kombëtares shqiptare ka deklaruar se synimi i tij në Rumani është fitorja e titullit kampion, pasi nuk mund të jetë ndryshe kur je pjesë e Dinamos së Bukureshtit.
Bakaj u sugjerua dhe u ndihmua të kalonte në klubin e famshëm rumun nga Sulejman Demollari, legjenda shqiptare e Dinamos, i shpallur si më i miri futbollist i huaj që ka luajtur ndonjëherë për këtë ekip.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›