E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dramë e Milanit Krauç çon në "ferr" kuqezinjtë

ROME-Milani thuajse i ka dhënë lamtumirën Ligës së Kampioneve, pas humbjes 0-1 të pësuar mbrëmë në "San Siro" përballë Totenhemit. Skuadra 7 herë kampione e Evropës është thyer përballë një formacioni të mbushur me futbollistë të talentuar dhe shumë herë më të fortë fizikisht. Ka qenë Piter Krauç ai që ka ndëshkuar kuqezinjtë, falë një asisti perfekt të Aron Lenon 10 minuta para fundit. Goli i Totenhemit e bën misionin e Milanit tepër të vështirë, pasi skuadrës kuqezi i duhet të fitojë në një prej fushave më të vështira të Anglisë, në "white Hart Lane". Ndeshja e mbrëmshme tregoi dobësitë e skuadrave italiane përballë atyre angleze, sidomos të Milanit, që pas Arsenalit e Mançesterit, tashmë eliminohet edhe nga Totenhemi. Goli i skuadrës britanike ka ardhur në momentin më të mirë të skuadrës së Alegrit, kur e gjithë loja ishte zhvendosur në zonën e Heurelio Gomesh. Por, pa një fantazist të mirëfilltë dhe me një mesfushë që dukej shumë e larguar nga sulmi, loja e Milanit ka qenë tepër e lexueshme, ç'ka i ka lejuar Totenhemit të mbrohet me kujdes. Edhe në ato momente që Jepes e Ibra kanë tentuar të godasin, ka qenë portieri Gomesh që ka neutralizuar gjithçka. Një mbrëmje magjike për Spërsat, që pavarësisht mungesës së Bejl, marrin një rezultat historik në "San Siro".
Ndeshja
Takimi i mbrëmshëm nisi me një problem për Milanin, që ka humbur Abiatin pas një përplasje. Pjesa e parë ka dhuruar pak momente të bukura dhe një lojë të përqendruar më shumë në mesfushë. Dy skuadrat i janë druajtur shumë pësimit të golit, duke dhuruar një futboll aspak të këndshëm për t'u parë. Në pjesën e dytë, loja e Milanit ndryshon së tepërmi. Jepes është i pari që jep sinjalin, me dy goditje me kokë të neutralizuara nga Gomesh. Më pas, Flamini rrezikon kartonin e kuq për një faull ndaj Çorlukës, ndërkohë që ndëshkimit nuk i shpëton as Gatuzo, për një faull jo të rëndë në mesfushë dhe që shoqërohet me një nervozizëm të tepruar. Disa goditje këndi radhazi nuk sjellin asgjë për ekipin kuqezi, ndërsa momentin më të mirë e pati Matjë Flamini, i cili goditi pas një asisti të Patos në zonë, por topi u ndalua nga një mbrojtës. Kur pritej goli i Milanit, Ibrahimoviç humb një top në sulm dhe Aron Lenon ndërmerr një aksion të rrezikshëm. Pasi shmang Jepes, ai pason për Krauç, që i vetëm nuk e ka të vështirë të shënojë. Goli shokon Milanin, ndërsa anglezët nisin të qarkullojnë me qetësi topin, duke mos lejuar italianët t'i afrohen zonës. Në minutën e 4-t shtesë, Ibra arrin të realizojë me një rrofeshatë, por arbitri ka ndaluar gjithçka për pozicion jashtë loje. Në të vërtetë, suedezi ka qenë gati një metër i spostuar, kështu që protestat e italianëve kanë qenë të kota.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›