Ibrahimovic si mesues

Parisi është lënë pas për ngrohtësinë e Katarit. Aty, Paris SG karikon sërish bateritë dhe trajneri Karlo Ançeloti ka rast të vlerësojë yllin e tij më të madh, suedezin që po udhëheq ekipin.
“Ibrahimoviç është një lojtar fantastik. Është e vështirë për mua të flas për të, në prani të tij, por kjo është diçka që gjithkush e di. Ai është mësuesi i skuadrës sidomos në lojën sulmuese. Shumë lojtarë mund të mësojnë prej tij, jo vetëm për mënyrën sesi luan, por edhe sesi sillet në stërvitje dhe jashtë fushe”, u shpreh Ançeloti.
Vetë Ibra nuk është penduar për zgjedhjen e bërë në verë dhe pse la një klub të madh si Milani.
“E dija se ardhja ime këtu do të ishte lajm i madh për mediat, sepse nuk është normale për një lojtar në kulm të karrierës që të shkojë në Paris. Por, unë vlerësova projektin dhe njerëzit që merreshin me të. Jo të gjithë lojtarët më të mirë, shkojnë në klubet më të mëdhenj dhe kjo e bën futbollin të bukur. Ne humbëm disa ndeshje, por mësuam më shumë sesa nga fitoret”, deklaroi ai.
Ndërkaq, PSG besohet të jetë më i fortë në fazën e dytë. Për 45 milionë euro u ble edhe një yll tjetër, braziliani Lukas.