E Diel, 1 Nëntor 2026

Ide/Në gjurmë të Ben Belushit...

E pabesueshme për të qenë e vërtetë. Mungesa e Ben Blues ndaj publikut po bëhet gjithmonë e më e padurueshme. Ankthi po na shtyp. Depresioni tashmë i ka pushtuar kalatë e para të mendjes. Fantazitë e induktuara nga alkooli mbeten të shumta. Bombardime haberesh të pakonfirmuara na informojnë se ai nuk është në shtëpi, është zhdukur, është shpërbërë pa lënë gjurmë, mbyllur në errësirën prapa kameras. Ndoshta është bërë asket yogi, murg në malin Athos, murg në Dharamsala, ose dervish në Cappadocia, bile ka mundësi të jetë bërë anëtar i Scientology, bashkë me Tom Cruise. Po, po edhe Ai është tashmë në star-system, me plot gojë një VIP, një sigël, një logo, një stampë, që do të thotë se është një person me cilësi mbi normalen, mbi banalen, mbi ordineren. Një njeri që nuk shkon të bëjë boks nëpër night-et e Tiranës, nuk ka nevojë të hajë grushte se ka një dinjitet për të mbrojtur. Një njeri që nuk degradohet sa këndej-andej në opinion. Mbetet po i njëjtë edhe pse me sfumatura, nganjëherë represive, agresive, didaktike, magjike, analitike, por(e)dh-etike. Një njeri që nuk shet troje ndërtimi, që nuk bën divorc me arsyen, që nuk është i veshur xhihadist për interesa të ngushta mendore. Ku ka shkuar ky njeri misterioz, pa kefiah, që mendon shumë e flet më pak seç vepron? Kjo pyetje sa vjen e merr teposhtë si një ortek me “sturm und drang”, që nis nga lart si një guriçkë Korçe e përplaset si furi dëbore pranë sahatit të Tiranës. Ai nuk ka fytyrë bandilli, as shenjtori, as malësori e as labi, por, kujdes, nuk është një metamorf, një jovertebror, një skelet, përkundrazi ka një shtyllë kurrizore e një diafragmë që i shkon përshtat diapazonit të mendjes. I sheqerosur sa duhet, i athët me veten sa nuk duhet. Me pak fjalë, një mandolinë. Po ku ka shkuar vallë? Pse nuk përgjigjet? Pse hesht si nata përballë hënës? Pse bën sikur nuk di? Edhe Ben Lushi na bojkoton. Edhe ai abdikon dhe e poshtëron pa megafon dëshirën tonë që të jetë Dikush me D të madhe shtypi. Sidomos kur kemi shumë askushë me “a” të vogël shtypi.
Ndërsa shkruajmë ndjemë një boshllëk brenda, në koren e barkut zorrët bëjnë demonstratë, nervat na shtiren si të interesuara për gosip, timpanet dëgjojnë të gjitha fjalët që fillojnë me B dhe presin se mos gëzohen sikur të ishte viti të ri. Goja është tharë ngaqë nuk ia belbëzojmë mbiemrin aq hijshëm. Ku është hokatari që bën batuta me kardio-plazmë, ku është gazetari që injekton dyshime, ku është politikani që luan shah ndryshe, që ta kap mat Mbretëreshën budallaqe, që e bllokon Kaligulën apo që i thotë krejt paciptësisht torrë Neronit.
Padyshim nevojiten përgjigje, shpjegime, shfajësime, botime, meremetime e shumë fjalë me prapashtesën (t)-ime. Koha jonë nuk është më në sinkron me sahatin e Bashkisë, por me atë të lirisë. Ndoshta ka me vete një busull, por nuk ka gjë më të keqe se nje nostrom që nuk di se ku po shkon. Bota e re është qëllimi i shpallur, i klithur e i menduar pa hesape. Por t’i lëmë sofizmat e të merremi me stoicizmat. Ai nuk është si Mark Aureli, por ka profilin e një Pandeli Evangjeli: që të dy këmbëzbathur përpara natyrës. Një paradigmë që s’ka fund. Ne e duam atë siç duam një soubrette që vallëzon një haka maori, ose të kemi një tête-à-tête pa gërnetë.
Për të thënë të vërtetën e zhdrejtë, na mungon si dielli natën, si nata ditën, si uji në shkretëtirë dhe si vapa për një njeri që është në Siberi. Kemi uri fetishiste për dalldisjet, provokimet, samizdatimet të një njeriu me palmares të jashtëzakonshëm humbjesh, që ka një portobagazh neuronesh që si pasqyrë kanë një butik ambulant fjalësh, gati të krijojnë një ishull të panjohur, një fiction me një kapiten grremç sepse në fund të fundit Ben Belushi është vetëm një tjetër Peter Pan. Ky mbiemri Pan gjithsesi nuk është perëndi greke, paçka se Ben Lushin e ka kapur paniku. Perëndia e madhe Pan, bir i lajmëtarit Hermes ka vdekur, e tha në edicionin e lajmeve të lashtësisë edhe spikeri Plutark.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›