E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ide/Pranvera arabe, rënie perëndimore

16-07-2011 / Nga Shlomo Ben-Ami

Lajmi i keq është se ligështia e Evropës dhe plogështia e Amerikës mund gjithashtu të sinjalizojnë kufij të ideve paqësore, si obligimi për të ndërhyrë me qëllim të mbrojtjes së popullsive që brutalizohen nga sundues të huaj. Hezitimi amerikan që kulmoi me tërheqje nga hataja që po ndodh në Libi, dhe dështimi i Perëndimit për të ndërhyrë me qëllim të ndaljes së ushtrisë siriane nga masakrimi i civilëve, tani duken si një udhërrëfyes - me të drejtë - dëshpërues për të ardhmen

Vokacioni i vjetër i asaj që Rudyard Kiplingi e quajti “Thelbi i njeriut të bardhë” – ideja prijëse prapa të së cilës ishte lufta e Perëndimit për hegjemoni globale nga ditët e zgjerimit imperial në shekullin nëntëmbëdhjetë e deri më sot – ka humbur shtegun. Të dërmuara politikisht dhe ekonomikisht, dhe të etura për të devijuar nga politikat glamuroze për shkak të prioriteteve të politikave të brendshme, Amerika dhe Evropa më nuk janë të afta të imponojnë vlerat dhe interesat e tyre nëpërmjet ndërhyrjeve të kushtueshme ushtarake në tok atë largëta. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, po e bënte të qartë kur i akuzoi shtetet evropiane anëtare të NATO-s për mungesë të dhënies së përgjigjeve misioneve të Aleancës, dhe për kapacitete të dobëta ushtarake. (Dhjetë javë pas nisjes së luftës në Libi, evropianët kishin nisur tashmë të mbeteshin pa municione.) Ai paralajmëroi se në rast se sjellja e Evropës ndaj NATO-s nuk ndryshon, Aleanca do të zhytej në një “irrilevancë kolektive ushtarake”. Hezitimi i Evropës për të marrë pjesë në aksione ushtarake nuk duhet të jetë një zbulim i madh. Kontinenti i vjetër nuk e ka pasur përnjëmend ndërhyrjen që prej Luftës së Dytë Botërore, duke ndjekur një kurs “posthistorik” që përjashton përdorimin e forcës si rrugë për zgjidhjen e konflikteve, e lëre më të angazhohet për ndryshim të regjimeve. Dhe tani është angazhuar në një luftë bindëse për të siguruar ekzistencën dhe vlershmërinë e Bashkimit Evropian. Si rezultat i kësaj, Evropa po kthehet në një botëkuptim të ngushtë rajonal – dhe duke pretenduar se Amerika do ta marrë mbi shpatulla barrën e çështjeve të mëdha globale.
Por vetë Amerika po rishqyrton prioritetet e veta. Këto janë kohë testuese për ekonominë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përfituar edhe nga huat imperialiste të financuara nga kreditë kineze. Admirali Mike Mullen, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, ditëve të fundit e ka definuar deficitin kolosal fiskal amerikan si kërcënimin më të madh për sigurinë kombëtare amerikane. Në të vërtetë, në një kohë të shkurtimeve të dhimbshme buxhetore – Shtetet e Bashkuara po përballen me një shkurtim prej 52 bilionë dollarë të pensioneve publike dhe kujdesit shëndetësor që do të ndihen gjatë dekadave të ardhshme – nuk pritet më prej Amerikës ta ruajë nivelin e tanishëm të angazhimit ushtarak në shkallë botërore. Por kriza fiskale nuk është e vetmja pjesë e rrëfimit. Mësimet e zorshme nga luftërat në Irak dhe Afganistan do ta formësojnë debatin e ardhshëm për rolin ndërkombëtar të Amerikës në shekullin njëzet e një. Gjatë një adresimi në muajin shkurt para kadetëve të Akademisë Ushtarake në West Point, Gates tha se “çdo sekretar i ardhshëm i Mbrojtjes, që këshillon presidentin të dërgojë një këmbësori të madhe amerikane në Azi ose Lindje të Mesme ose në Afrikë, duhet t’i ekzaminohet koka”. Deklaratat e Gates pa fije dyshimi se janë të një izolacionisti të vetmuar në një Amerikë përndryshe intervencioniste. Ai ka shprehur një imperativ të pranuar nga të gjithë për një rivlerësim strategjik. Më 1947, në një artikull, “Burimet e sjelljes sovjetike”, të nënshkruar nga “X”, George Kennan e definoi strategjinë e politikës së jashtme amerikane për luftën e ftohtë si një formë të frenimit dhe përmbajtjes. Është e vështirë të mendosh një shmangie më të theksuar prej koncepteve të Kennanit, sesa në raportin e ditëve të fundit të lëshuar nga Pentagoni – Një tregues kombëtar strategjik – autorizuar nga dy oficerë të lartë ushtarakë në detyrë, të cilët janë nënshkruar si “Y”. Raporti mund të hidhet poshtë se dy anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm e paskan shkruar në “kapacitetin personal”. Por fuqia e vërtetë e tij është se ai buron nga një nivel i lartë që reflekton disponimin e Amerikës në një kohë të rënies së ndikimit global dhe të zbehjes lidhur me relevancën e fuqisë ushtarake për ta ruajtur hegjemoninë globale të SHBA-së. Sikurse artikulli i Kennanit për “X”-in ishte plotësisht reflektues i disponimit të Amerikës së asaj kohe, po ashtu Treguesi shpreh shpirtin e tanishëm amerikan. Prandaj, ideja se “Y” mund të jetë një ditë pasuese e “X”-it – duke definuar rolin ndërkombëtar të Amerikës në shekullin njëzet e një – mund të mos jetë larg mendsh. Duket qartë se ka shumëçka në Treguesin që rastis me fuqinë e butë të theksuar të Evropës. Autorët bëjnë thirrje për një shmangie prej strategjive të dala mode të luftës së ftohtë të “fuqisë dhe kontrollit” për t’ia mësyrë një angazhimi më qytetar dhe një prosperiteti më të qëndrueshëm. Siguri, ngulmojnë ata, do të thotë më shumë sesa mbrojtje. Do të thotë angazhim aty ku Amerika nuk duhet “të detyrojë, të shkelë rregullat, të marrë diçka me lajka, ose të bindë të tjerët të pranojnë vlerat tona unike ose të ndajë me të tjerët qëllimet tona kombëtare”. Amerika, argumenton “Y”, fillimisht duhet të vendosë rendin në shtëpi nëse dëshiron të rimarrë ndikimin e besueshëm botëror si thelb të drejtësisë dhe prosperitetit. Kjo do të kërkojë përmirësim të kapaciteteve diplomatike të Amerikës, sikur se edhe rikthim të konkurrencës globale nëpërmjet investimit më të madh në edukim dhe infrastrukturë në shtëpi. Ky mesazh që po formësohet tani nga SHBA-ja nuk është një i mosndërhyrjes, por është një strategji e përmbajtjes që supozon se ka kufij të fuqisë amerikane dhe kërkon të minimizojë rrezikun e zhytjes në konflikte të jashtme. Si e ka thënë edhe Gates në adresimin e tij në West Point, Ushtria Amerikane më nuk duhet të jetë një “xhandarmëri shtetndërtuese viktoriane e dizajnuar të ndjekë guerilje, të ndërtojë shkolla, ose të pijë çaj”. Lajmi i keq është se ligështia e Evropës dhe plogështia e Amerikës mund gjithashtu të sinjalizojnë kufij të ideve paqësore, si obligimi për të ndërhyrë me qëllim të mbrojtjes së popullsive që brutalizohen nga sundues të huaj. Hezitimi amerikan që kulmoi me tërheqje nga hataja që po ndodh në Libi, dhe dështimi i Perëndimit për të ndërhyrë me qëllim të ndaljes së ushtrisë siriane nga masakrimi i civilëve, tani duken si një udhërrëfyes - me të drejtë - dëshpërues  për të ardhmen.

Autori ishte ministër izraelit i Punëve të Jashtme dhe tani shërben si zëvendëspresident i Qendrës Ndërkombëtare për Paqe të Toledos. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›