Kastriot Islami: “Qëndrimet e Edi Ramës prej Shvejgu s’më largojnë nga PS-ja”

Pas intervistës së Edi Ramës, Kastriot Islami paralajmëron kreun e PS-së, se s’do jetë në gjendje ta përjashtojë atë nga partia. Deputeti socialist thotë se e gjithë platforma e Edi Ramës për mbajtjen e pushtetit vetëm për vete dhe jo ndjekjen e rrugës së koalicionit, po e çon të majtën në humbje të përjetshme
Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherazi sekretari për çështjet zgjedhore në këtë forcë politike, Kastriot Islami, paralajmëron se Edi Rama s’do jetë në gjendje ta përjashtojë atë nga Partia Socialiste. Kastriot Islami thotë se ai s’ka ndërmend të vetë-largohet, pasi kjo nuk është në moralin e përfaqësuesve socialistë, veç rasteve kur Edi Rama ka shpallur spastrimin e renegatëve, siç ka bërë me ish kryetarin më të suksesshëm të degës së PS-së për Tiranën, Musa Ulqinin, ish kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi apo ish presidentin e Republikës Rexhep Mejdani.
“A është vetë larguar Musa Ulqini, kryetari më i suksesshëm i degës së Partisë Socialiste të Tiranës, a është i vetë deklaruar Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, Edlira Haxhiymeri apo dhe Eva Allushi? Jo. Nuk janë vetë larguar. Nuk ma pret mendja se mund të vetë largohen figurat e PS-së nga partia e tyre. Ka qenë Musa Ulqini që i ka dhënë teserën e anëtarësimit Edi Ramës. Dhe tani z.Ulqini nuk është në Partinë Socialiste. Unë deklaroj këtu se nuk do të largohem nga Partia Socialiste. Qëndrimet prej Shvejgu, më bëjnë më të fortë për të qëndruar në PS. Unë e kam lidhur karrierën time me një mandat deputeti si dhe si, sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS. Edi Rama pranoi në intervistën e fundit, të gjitha pikat që unë i kam sugjeruar si, për futjen në parlament, ndryshimet kushtetuese dhe reformën elektorale”, u shpreh deputeti Islami.
Deputeti socialist tha se ai i përket atij grupi njerëzish me inteligjencë maksimale që i dhanë vlera dhe integritet Partisë Socialiste, të cilët për 5 vjet e sollën PS-në në internacionalen socialiste, duke i dhënë një program të vërtetë Evropian.
“Por, vitet e fundit PS ka humbur të gjithë atë integritet të formuar ndër vite”, tha Islami, duke akuzuar Edi Ramën se erdhi në krye të PS-së me synim për të përçarë të majtën. “Edi Rama ka ardhur me një mision, për të përçarë të majtën dhe për ta shkatërruar Partinë Socialiste. Në PS mbizotëronte fryma liberale në momentin kur Edi Rama u anëtarësua dhe pa këtë frymë liberale dhe integritet demokratik në ballafaqimin e ideve, lirinë e shprehjes, Edi Rama nuk do kishte mundur të bëhej pjesë e Partisë Socialiste si dhe s’do kishte patur kurrë shanse të zgjidhej kryetar i bashkisë. Por, tashmë ai e ka izoluar PS-në, aty nuk dëgjohet zëri ndryshe, madje paragjykohet si nxitës dhe përçarës”, tha Islami.
Gjithashtu, Kastriot Islami kritikon Edi Ramën se duke zgjedhur si platformë politike anti-koalicionin, po degdis PS-në dhe të majtën, e cila sipas tij, nuk vjen kurrë në pushtet. “Nuk mund të thuash unë kam koalicion me qytetarët. E majta e përçarë ka humbur në 2005-ën, 2009-ën dhe 2011-ën. Ka vetëm një fitore në vitin 2007, ku e majta doli e bashkuar në zgjedhje. Edi Rama duhet të dalë nga kompleksi i idiotit dhe inferioritetit. Diferenca mes të majtës dhe të djathtës është rreth 4-5 %. LSI është një forcë politike e cila ka mbi 6 % të elektoratit, ndaj dhe kjo ka rolin e saj determinant në procesin zgjedhor. LSI është e majtë dhe domosdo kuptueshëm, është pranë Partisë Socialiste, por tendenca e Edi Ramës për të evituar LSI-në si dhe të mbajë pushtetin për vete, s’do ta sjellë kurrë atë në pushtet. Pas 2005-ës, Rama nisi luftën në PS, duke përjashtuar figura të rëndësishme të saj, figura që edhe kanë themeluar Partinë Socialiste”, tha ai.
Islami përmendi si fatale ndryshimet Kushtetuese të 2008-ës, të cilat sipas tij erdhën me veton e Edi Ramës, pa pyetur ekspertët ligjorë të Partisë Socialiste.
“Rama gaboi në 2008-ën me nenet e veçanta për presidentin, kryeministrin apo dhe sistemin elektoral. Por, siç duket PS po përgatitet për një paketë ligjore, për reformat në disa prej institucioneve si në sistemin e drejtësisë, çështjen e imunitetit etj”, shtoi ai.
Duke iu referuar kërkesës së PS-së për zgjedhje të parakohshme, deputeti socialist Kastriot Islami ironizoi duke deklaruar se Edi Rama do i kërkojë përsëri ato, edhe pse afati kushtetues i 2013-ës, është shumë pranë. “Partia Socialiste gënjen veten e vet edhe për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme. Edhe në intervistën ku u vetë pyet, Edi Rama s’ishte i qartë se kur do i kërkojë zgjedhjet e parakohshme, në shtator, në dhjetor apo herë në pranverë të vitit të ardhshëm”, deklaroi më tej, deputeti Islami.