E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: S’ndryshon kushtetuta sa herë i lëviz karrigia Ramës

16-07-2011 / Gazeta 55

Kreu i mazhorancës i përgjigjet provokimit më të fundit të Edi Ramës, i cili e ka kushtëzuar dialogun me nevojën e ndryshimit të ri të kushtetutës. “Atyre që bërtasin të ndryshojmë kushtetutën, sa herë ju lëviz karrigia, u them se ky vend ka nevojë të zbatojë kushtetutën dhe se ju që doni të ndryshoni drejtimin e erës duhet të ndryshoni velat, se drejtimi i erës nuk ndryshon”, deklaroi dje kryeministri Berisha, duke vendosur vijën e kuqe të konsensusit, jo përtej Kodit Zgjedhor dhe 12 prioriteteve të BE-së


Kryeministri Sali Berisha, u është përgjigjur dje, pretendimeve të Edi Ramës, i cili ka kërkuar ndryshime në Kushtetutë. “Kushtetuta nuk ndryshon sa herë i lëviz karrigia e Edi Ramës”, ka deklaruar midis të tjerave dje kryeministri Sali Berisha, ndërsa inauguroi rikonstruksionit të rrugës, Ura e Farkës-Fshati “Mustafa Kocaj”, me gjatësi prej 15 km, vlerë investimi 513 milion lekë dhe prej saj do të përfitojnë 20 mijë banorë dhe rreth 1 mijë nxënës të disa shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm. Rruga e rikonstruktuar lidh 26 fshatra me Tiranën, nga të cilët 14 fshatra janë të komunës Baldushk, ndërsa 12 të tjerë i përkasin komunave Vaqarr, Berzhitë, Gracen, Pajovë dhe Përparim. Duke uruar banorët e Baldushkut për rrugën e rindërtuar, kryeministri Berisha u shpreh se kjo rrugë i jep një impuls të madh zhvillimit dhe fuqizimit të të gjitha këtyre komunave, duke u dhënë mundësi fermerëve të zonës që në një kohë të shkurtër dhe lehtësisht të arrijnë tregun e kryeqytetit. Kreu i qeverisë shprehu angazhimin para banorëve të Baldushkut se qeveria do të mbështesë çdo projekt që do të ndryshojë dhe modernizojë jetën e tyre, por kërkoi nga autoritetet lokale të zonës si dhe vetë banorët ti bashkohen përpjekjes së përbashkët  për të ndërtuar një komunë ndër më të zhvilluarat në vend. “Kërkoj nga ju zoti kryetar, kërkoj nga të gjithë banorët e kësaj zone, që së bashku të punojmë me përkushtim çdo ditë për Baldushkun, komunë ndër më të zhvilluarat, për Shqipërinë, vend të zhvilluar. Është në dorën tonë, është në vullnetin tonë, që me punë, mund  e vizion të rrisim çdo vit e më shumë të ardhurat për familjet tona”, u shpreh kryeministri Berisha.


Sipas tij, ndërtimi i kësaj rruge i jep një impuls të madh zhvillimit  dhe fuqizimit të të gjitha këtyre komunave, jep një vlerësim të madhe të truallit dhe të tokës, një lulëzim të madh të tregut. “Kjo u jep mundësi ju që në një kohë të shkurtër dhe pa mundim të madh të kapni tregun më të madh, atë të kryeqytetit”, tha Berisha, duke shtuar se, “edhe 12 km të tjera duhet të ndërtojmë ne që të dalim në Peqin, në Pajovë. Ju garantoj se edhe këto 12 km do të ndërtohen, pra krahas autostradës me 4 korsi, ne do të bëjmë gjithçka që të lidhim të gjitha zonat, sepse rruga, këto 13 km i japin një gjallëri të madhe kësaj lugine, valorizojnë kodrat, shpatet, luginën e gjithë këtij territori, sikundër shpreh kënaqësinë që këto vite ne komunën e Baldushkut janë ndërtuar 20 km rrugë të tjera. Komuna ka bërë përpjekje të mëdha për lidhjen e të gjitha fshatrave me qendrën e komunës, duke hapur rreth 50 km rrugë në tërë territorin e saj. Ka ndërtuar 5 shkolla, 5 qendra shëndetësore, ujësjellës dhe kanalizime në 4 zona”, premtoi kreu i qeverisë, Berisha.


Kryeministri shprehu zotimin se brenda pak vitesh do realizohet projekti “Shqipëria Vend i Zhvilluar”, ku vendi ynë të renditet në grupin e vendeve me të ardhura të larta. “Shqipëria, vend i zhvilluar, Baldushku vend i zhvilluar  do të thotë para së gjithash dhe mbi të gjitha qytetarë me të ardhura të afërta ose të njëjta me ato të qytetarëve evropianë. 20 vite më parë ne ishim ndër tre katër vendet më të ulëta për të ardhurat në botë. Sot, ne kemi lënë prapa dhe dhjetëra vende. Nuk jemi më në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta. Nuk jemi më në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, jemi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, të larta. Për të dalë, për tu ngjitur në grupin e vendeve me të ardhura të larta duhet të mendojmë që të krijojmë të ardhura në çdo metër katror të kësaj toke dhe këtë mund ta arrijmë para së gjithash duke  e shndërruar Shqipërinë në kopshtin më të madh, më të bukur të Evropës”, tha Berisha.


Duke garantuar stabilitetin makro-ekonomik të Shqipërisë, kryeministri Sali Berisha tha se Qeveria do vazhdojë të ndjekë politikën e investimeve në infrastrukturë si dhe rritjen e pagave e pensioneve. “Kjo qeveri frymëzohet nga ju, frymëzohet nga mundi dhe nga djersa juaj dhe përpiqet tja u lehtësojë mundin dhe ta bëjë që ai të japë rezultatet që ju meritoni. Këto 5 vite kanë qenë vite të vështira shumë për ekonominë  evropiane dhe botërore. Nuk kanë qenë të tilla për ekonominë shqiptare. Ekonomia e Shqipërisë nuk përjetoi krizë. Dëshmi e kësaj janë 8 mijë km rrugë që u ndërtuan dhe në tërësinë  e tyre në fshatra dhe në komunat e vendit, dëshmi e saj janë dyfishimi i pensioneve në mbarë fshatrat  e Shqipërisë, dyfishimi i rrogave të ulëta, dyfishimi i rrogave të mesme, pra në një situatë stuhie për ekonominë evropiane, ekonomia e vogël shqiptare ka qëndruar e fortë, entuziaste, dinamike,me një besim të madh në zhvillimin e këtij vendi”, tha kryeministri. Duke iu referuar perspektivës Evropiane, kryeministri premtoi se ky proces do ecë me ritme të përshpejtuara.


Sipas kryeministrit për Qeverinë mbetet primare zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës, ndërsa kjo e fundit s’mund të ndryshohet sa herë i lëviz karrigia e pushtetit Edi Ramës. “Unë mendoj se ne kemi nevojë të ecim përpara, ne kemi nevojë të shkëputemi me shpejtësi të madhe nga një e shkuar të cilën nuk e krijuam vetë por na e imponuan regjime nga më çnjerëzoret. Mbi të gjitha ne kemi vullnetin, për të punuar, për të ndërtuar, për të derdhur djersë për një jetë më të mirë për fëmijët tanë, për ne, për të ndërtuar të ardhmen të cilën e kemi patur thjesht një ëndërr, por kjo është koha për ne të shndërrojë ëndrrat në realitet. Sot ju lëvizni të lirë në mbarë Evropën. Unë ju garantoj ju se ne do të bëjmë gjithçka që procesi i integrimit të eci përpara. Ky proces, liritë tuaja, zhvillimi i vendit ka një kusht mbi të gjitha kushtet dhe ky kusht është zbatimi i ligjit, ky kusht është të gjithë të barabartë para ligjit. Atyre që bërtasin të ndryshojmë kushtetutën, sa herë ju lëviz karrigia, atyre do tu them këtu sot, se ky vend ka nevojë të zbatojë kushtetutën, të zbatojë ligjet dhe se ju që doni të ndryshoni drejtimin e erës duhet të ndryshoni velat, se drejtimi i erës nuk ndryshon”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.


Përgjigja e kryeministrit vjen pas kërkesës provokative të Edi Ramës në intervistën e tij në Top Story, se PS do kërkojë ndryshimin e Kushtetutës. 


Reagon edhe LSI, Manjani: Kushtetuta e Republikës nuk është Statuti i Partisë Socialiste


Lëvizja Socialiste për Integrim, do të nxisë një debat të hapur, në fillimin e sesionit të ri parlamentar, për të kuptuar sesi institucionet e kanë kuptuar misionin e tyre në procesin zgjedhor. Sekretari për çështjet zgjedhore dhe ligjore i LSI-së, Manjani përmes një konference për shtyp informoi se ky debat do të zhvillohet me fillimin e sesionit të ri parlamentar, për të kuptuar njëherë e mirë se i kujt është faji, i Kushtetutës apo keqpërdorimit të saj.


Ndër të tjera ai theksoi se shmangia e reformave nga lidershipi i PS-së, shpreh një çoroditje politike si dhe faktin se opozita nuk është e interesuar për reformat e kërkuara.


“Reforma zgjedhore, reforma në Drejtësi dhe në tërësi reformat institucionale në vend janë të kushtëzuara nga nevoja për integrimin e vendit në Europë. Këto janë çështje të rëndësishme, me të cilat duhet të ballafaqohet e gjithë klasa politike në vend. Shmangia prej këtyre reformave, siç përpiqet të imponohet lidershipi i PSSH, pas të alibisë për ndryshime ne kushtetutë, shpreh në thelb një çoroditje politike dhe faktin se ata nuk janë të interesuar për reformat e kërkuara, por vetëm për interesat e pushtetit të klanit të tyre politik”- theksoi Manjani.


Më tej përmes kësaj deklarate Manjani tha se “Kushtetuta e Republikës nuk është statuti i Partisë Socialiste që ndryshohet sa herë kryetari humb zgjedhjet”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›