E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idealet demokratike amerikane të përqafohen nga e gjithë bota

06/08/2010 Presidenti i Shteteve të Bashkuara mesazh kryeministrit Sali Berisha

Kreu i qeverisë ftoi për vizitë Presidentin Barak Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka falënderuar kryeministrin Sali Berisha për mesazhin që kreu i qeverisë shqiptare i dërgoi më 4 korrik me rastin e festës së pavarësisë. Në mesazhin e tij Presidenti Obama shpreh falënderimet për urimet që kryeministri Berisha i transmetoi ditën kur populli amerikan feston përvjetorin e 234-t të pavarësisë. “Dëshiroj t’Ju falënderoj për mesazhin e ngrohtë dhe urimet e përzemërta në këtë moment kur populli amerikan feston përvjetorin e 234-t të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Idealet mbi të cilat Amerika ndërtoi demokracinë, lirinë dhe dinjitetin mbeten po aq të rëndësishme sot sa ç’ishin edhe në vitin 1776. Është në besimin tim që këto ideale do të përqafohen një ditë nga popujt e të gjithë botës”, - shkruan presidenti amerikan Barak Obama. Në mesazhin e urimit për festën e pavarësisë kryeministri Berisha ka falënderuar SHBA-të për ndihmën që ato i kanë ofruar Shqipërisë. Shefi i ekzekutivit shqiptar në atë mesazh të 4 korrikut ftoi Presidentin Obama për një vizitë zyrtare në Shqipëri. “Gjej rastin t’Ju ripohoj dëshirën time dhe të të gjithë shqiptarëve për t’Ju pritur në Tiranë si mik i madh dhe i shquar i kombit shqiptar”, - thuhet në mesazhin e Berisha i ka përcjellë dje Presidentit amerikan. Berisha në mesazhin e tij ka evidentuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. “Në këtë ditë të shënuar për vendin dhe kombin Tuaj, ndihemi të lumtur që marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve e popujve tanë miq kanë njohur vetëm zhvillime pozitive dhe janë më të mira se kurrë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin në NATO përbën një demonstrim të shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ngushtë e të frytshëm ndërmjet dy vendeve”, - thuhet në mesazhin e kryeministrit Sali Berisha.

Marrëdhëniet

Marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e amerikane në Tiranë u hap më 1 tetor 1991 me Kristofer Hill si i ngarkuar me punë ad interim dhe i pasuar nga ambasadori i SHBA-ve Uilliam Eduin Rajerson, i cili mbështeti hapur lëvizjen demokratike në vendin tonë. Qeveritë e SHBA-ve gjatë dy dekadave të fundit i kanë ofruar Shqipërisë një ndihmë të madhe në forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Nënkryetari i LSI-së

Pavarësisht diferencave, mazhoranca nuk rrezikon

Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson se dallimet që ajo ka me Partinë Demokratike në lidhje me projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror dhe raportet me Presidentin e Republikës nuk cenojnë aspak koalicionin qeverisës. Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka theksuar se qëndrime të tilla nuk duhet të përkthehen në përçarje, por si një diversitet mendimi. Zyrtari i lartë i Lëvizjes në një intervistë televizive shpjegon se Shqipëria ka kaluar periudhën kur të gjithë të ishin “grusht bashkuar rreth partisë”. “Sigurisht, reminishencave të mazhorancave të rreshtuara grusht bashkuar rreth partisë u ka ikur koha. Nuk është më Shqipëria e viteve ’90 dhe kush ka nostalgji të tilla bën gabim që i ka, sepse duhet të kujtoj se nuk jemi më në vitin ’90, por jemi në kohë tjetër”, - ka thënë ai. Kësisoj, Vasili hedh poshtë çdo pretendim të opozitës, sipas së cilës mazhoranca është në krizë votash. Duke u ndalur në ndryshime në ligjin për SHISH-in, ai thekson se ekzigjencat për të pasur një ligj sa më të mirë për SHISH-in janë më të mëdha se kurrë. “Çdo ditë reflektimi është një ditë e fituar, nuk është një ditë e humbur. Nuk jemi Shqipëria që kemi një shërbim informativ shtetëror që vepron brenda shtetit si vite më parë, sepse ishte një Shqipëri tjetër dhe nuk ishte anëtare e NATO-s”, - tha ai. Ndërsa në lidhje me raportet që mazhoranca ka me kreun e shtetit, nënkryetari i LSI-së shprehet se ka mjaft mundësi për një bashkëpunim të qetë dhe normal, në respekt të plotë me Kushtetutën. Në analizën për gjendjen aktuale politike dhe pozicionimin e opozitës Vasili tha se Partia Socialiste duhet të bëjë vlerësime korrekte dhe të bashkëpunojë në të mirë të vendit. “Nuk mund të kërkojmë realitete në mjedisin afgan apo gjetkë. Besoj se të tjerët nuk janë më pak inteligjent se opozita shqiptare që nuk i përdorin”, - ka deklaruar numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas tij, radikalizmi sërish i qëndrimeve të opozitës do të ishte një hap më i madh pas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›