E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ideja për traktat paqeje, e parealizueshme

Idenë e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi për vendosjen e një traktati paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, partitë opozitare nuk e shohin si të dëmshme, por thonë që nuk mund të zbatohet, pasi që Serbia nuk e njeh sovranitetin e Kosovës dhe vazhdon të jetë prezent me strukturat paralele në veri të Kosovës.

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Kuçi ka dhënë një ide personale të tij që Kosova është e gatshme për vendosur një traktat paqeje me Serbinë. Ai edhe dje ka insistuar në idenë e tij se pas çdo konflikti ndërshtetëror mes dy shteteve vendoset traktat paqeje.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë nëpërmjet telefoni se kjo ide është e parealizueshme.

“Po është shumë e qartë në rrethanat çfarë është Serbia është ajo që ka qenë para shumë viteve. Mandej e kemi gjendjen çfarë e kemi në veri të Kosovës me mosushtrimin e sovranitetit...të gjitha këto probleme të Kosovës karshi Serbisë. Kjo është një dëshirë e mirë e parealizueshme edhe pse traktatet bëhen mes shteteve që e njohin njëra tjetrën dhe njohin sovranitetin e të tjera”, ka theksuar Beqiri.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë për Kosovapress se çfarëdo traktati paqeje me Serbinë është kapitullim ndaj saj.

“Ne e kemi thënë, aktualisht marrëdhëniet që i ka Kosova me Serbinë, duke pas parasysh që Serbia nuk e njeh Kosovën, duke pas parasysh se kjo qeveri e Hashim Thaçit po pranon të negocion me Serbinë pa kurrfarë kushti për Serbinë, pa kërkuar që ajo të njeh Kosovën dhe që të tërhiqet nga intervenimi i saj i dhunshëm dhe kriminal përbrenda Kosovës, atëherë çfarëdo traktati paqe me të do të jetë traktat thjeshtë kapitullimi ndaj saj”, ka thënë Ymeri.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës çuditërisht po e shpreh një gatishmëri shumë të madhe edhe për t’ia falur krimet Serbisë, por edhe për t’i fshehur ato.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka parë tri elemente kryesore që nuk mund të vendoset një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Besoj se nuk ka shumë argumente të fuqishme për të parë atë si ide të keqe, por realiteti është se si e tillë është jashtëzakonisht e vështirë, pothuajse e pamundur në ato rrethana që jemi. Janë tre faktorë që ndikojnë në të është politika e Kosovës që duhet të vazhdojë të jetë integruese perëndimore, politika agresore që po vazhdon Serbia, dhe përfundimisht veriu që është parakushti themelor për çfarëdo lloj normalizimi të raporti mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, pa largimin e shërbimeve sekrete të Serbisë, policisë së Serbisë, strukturave paralele atje dhe krimit të organizuar që udhëhiqen prej serbëve lokal dhe serbëve të Serbisë definitivisht nuk ka hapësirë dhe është e pamundur të arrihet një traktat i paqes mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Ramadani.

Gjithashtu, ai ka theksuar se një traktat i paqes është i domosdoshëm për stabilizimin në rajon.

Edhe pse është ide personale e numrit dy të Qeverisë së Kosovës dhe është komentuar në Kosovë kjo ide, në Serbi nuk është komentuar fare as nga zyrtarët e institucioneve e as nga opozita./kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›