Rruga “Gramoz Pashko”, Basha: Projekti më i shtrenjtë i Bashkisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka inspektuar sot punimet në rrugën “Gramoz Pashko”, në afërsi të “Qytet Studentit”. Gjatë takimit me banorët atje, Basha premtoi infrastrukturë sipas standarteve europiane për të gjitha rrugët e kryeqytetit, ndërsa theksoi se ky është një nga investimet më të mëdha që Bashkia e Tiranës ka financuar deri më tani.
“Zhvillimi i infrastrukturës së qytetit dhe rikthimi i saj në parametra evropiane, jo vetëm me asfalt por me kanalizime, me ujësjellësin, me rrugë me parametra evropiane, me trotuare dhe gjelbërim është projekti që inaugurojmë sot për rrugën “Gramoz Pashko”. Është një nga projektet më të shtrenjta që paguhet me fondet e buxhetit të Bashkisë dhe që do të bëjë të mundur përfundimin brenda 10 muajve të ardhshëm të kësaj traseje me gjatësi afro 1 km”tha Kryebashkiaku.
Basha theksoi gjithashtu se do të investohen të gjitha rrugët hyrëse për në rrugën “Gramoz Pashko”, ndërsa shtoi se projekti i sotëm hap siparin e investimeve publike për Bashkinë e Tiranës, në rrugë dhe kualifikime të blloqeve urbane të reja apo të vjetra.
Punimet e rrugës "Gramoz Pashko", të cilat kapin vlerën prej 70 milionë lekësh pritet të përfundojnë në muajin qershor 2013.