E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëhilli: Ligji, premtim elektoral i PD-së

TIRANË - I menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë blu lidhur me akuzat e ngritura nga ana e Partisë Socialiste për sa i përket qëllimit të ndryshimit të ligjit për tokat e ish-fermave bujqësore që gjenden kryesisht në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit dhe brenda vijave të verdha të qyteteve dhe fshatrave, ku zëdhënësja e saj, Erla Mëhilli, e ka konsideruar atë një premtim të mbajtur të qeverisë Berisha për banorët e këtyre zonave. Sipas saj, ndryshimet e bëra në ligj i japin zgjidhje çështjes së pronave të rreth 10 mijë familjeve, të cilat kanë marrë toka në përdorim, por pa mundur që t'i bëjnë ato prona të tyre. Pikërisht amendimi i ligjit, për Partinë Demokratike, i jep mundësi këtyre subjekteve që kanë toka në përdorim që të bëhen pronarë të ligjshëm të një sipërfaqe truall, ashtu siç edhe parashikonte edhe dekreti i Presidentit të Republikës i vitit 1996. "Sot Edvin Kristaq Rama, njeriu që 3 javë më parë derdhte lot për fermerët e Orikumit, nxori zëdhënësin e tij të radhës për të kundërshtuar ligjin, nga i cili përfitojnë mbi 10.000 familje të ish-fermave shtetërore nga Veriu deri në Jug të Shqipërisë. Në konferencën e shtypit, z. Rama dënoi dhënien falas të tokës këtyre fermerëve në masën 300 deri në 700 metër katror. Njeriu që do shkonte të protestonte në Orikum pse nuk u jepej toka fermerëve, tani denoncon vetëm për qëllime politike ligjin, i cili realizon një premtim elektoral të mazhorancës", - tha Mëhilli. Sipas ligjit në fjalë, të gjitha familjet dhe individët, që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit do të duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do t'u bëhet me një sipërfaqe trualli që variojnë nga 300 metra në 750 metra katror.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›