E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për tokat në bregdet, PS: Topi të mos e dekretojë

Deputeti socialist, Fatmir Toçi, ka denoncuar skemën e miratuar nga shumica për zgjidhjen e problemit të tokave të ish-NB-ve si antiligjore dhe rrezik për konflikt social

TIRANË - Ndryshimet e bëra në ligjin "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore", nëpërmjet të cilave kërkohet të rregullohet çështja e pronësisë së pronave të ish-ndërmarrjeve bujqësore janë antikushtetuese. Është Partia Socialiste ajo që ngre zërin kësaj here, e cila ashtu siç edhe konstaton raporti i Komisionit të Ligjeve i vitit 2008, argumenton se me amendimet e bëra në këtë ligj krijohen dy momente që prekin rëndë ligjin themeltar dhe që kanë të bëjnë me aspektin e marrjes e tokës dhe atë të kompensimit. Deputeti socialist, Fatmir Toçi, si përfaqësues i qarkut të Vlorës, në territorin e të cilit ky ligj pritet të ketë fushë më të madhe zbatimi, duke denoncuar skemën e miratuar nga shumica për zgjidhjen e problemit të tokave të ish-NB-ve, si antiligjore, ka theksuar se ai rrezikon të sjellë ndër të tjera dhe një konflikt social mes poseduesve aktual të tokave dhe atyre individëve që do t'i marrin ato si kompensim.
Deklarata
Në një komunikim me mediat, deputeti Fatmir Toçi, megjithëse me vonesë ka sjellë për opinionin publik qëndrimin e Partisë Socialiste për sa i përket ligjit të tokave të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore, duke e konsideruar atë si të papranueshëm dhe që bënë një zgjidhje të gabuar të situatës. Sipas tij, banorët e zonave bregdetare, të cilat gjatë sistemit të shkuar kanë qenë ferma bujqësore, ashtu si dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre që gjenden brenda vijave të verdha të qyteteve dhe fshatrave, rrezikojnë, së pari, të përfshihen në një konflikt të hapur me të gjithë ato subjekte të tjera, të cilëve do t'u jepen tokat që deri më tani kanë qenë në përdorim. "Banorët e zonave të Orikumit, Ksamilit, Borshit apo të zonave të tjera që kanë marrë sipërfaqe në përdorim deri në 1500 m2 do t'u merret, duke i kompensuar në tokë me një sipërfaqe 300 deri në 750 m2. Ky është një ligj, që jo vetëm do të rrisë konfliktin social në vend, mes atyre që do t'u merret toka me ata të tjerët që do t'u jepet, por vetë personat e rrezikuar nga ky "shtetëzim" modern kanë kërcënuar se nuk e lëshojnë tokën e tyre", - tha Toçi. Ai ka evidentuar se përpjekja e mazhorancës për zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi këtë kategori tokash me anë të këtyre ndryshimeve në ligj e acaron më tepër problemin dhe ka rritur ndjeshëm revoltën e banorëve, kryesisht atyre që jetojnë në vijën bregdetare, të cilët, sipas tij, presin zgjidhjen ligjore të problemit, dhe jo marifete të reja të kësaj qeverie që kanë për qëllim grabitjen e tokave që ata kanë në përdorim që prej 18 vjetësh.Ndërsa, duke argumentuar antikushtetutshmërinë që sjellin ndryshimet e bëra së fundmi në ligj, Toçi tha se ajo ka të bëjë, së pari, me faktin se amendamentet e bëra prekin të drejtën e njeriut për sa i përket të drejtës së pronës. "Është antikushtetuese të shkohet në ngushtim dhe kufizim të të drejtave të njeriut (si po ndodh me uljen e sipërfaqes që kalon në pronësi nga 1500 në 750 e më pak m2) kur këto të drejta, në çdo fushë qofshin, duhet të shkojnë vetëm drejt zgjerimit dhe përmirësimit të tyre. Nëse themelet e pronës private preken kësisoj, atëherë sot bie alarmi për kërcënim të vetë sistemit demokratik në Shqipëri", - tha më tej Toçi. Gjithashtu, ai ka theksuar se këto ndryshime në ligj kanë një handikap juridik në formulimin e nenit 3/1, gjë që i hap rrugën proceseve të pafundme të ankimimit në gjykatë, si të pronarëve, ashtu edhe atyre që i kanë në përdorim këto toka. "Ky nen bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, pasi kompenson me një truall në pronësi një subjekt të caktuar, edhe pse ai nuk përfshihet në kategorinë e subjekteve të shpronësuara", - u shpreh Toçi.
Rishikimi
Për të gjitha këto arsye, por jo vetëm, selia rozë kërkon, së pari, nga ana e presidentit që të mos e dekretojë ligjin në fjalë dhe, së dyti, i kërkon mazhorancës që të ketë durim dhe të rishikojë edhe një herë ndryshimet e bëra, për t'i bërë ato kushtetuese dhe të zbatueshme në praktikë. "I kërkojmë Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj që u rrëmben tokën dhe i hedh në rrugë njerëzit në nevojë, pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, për t'i dhënë zgjidhjen përfundimtare këtij problemi që ka penguar dhe bllokuar zhvillimet normale të vendit, në mënyrë të veçantë në fushën e turizmit dhe bujqësisë", - deklaroi Toçi, duke bërë të qartë në të njëjtën kohë se zgjidhja e vetme e kësaj problematike është kalimi në pronësi i të gjitha tokave atyre familjeve që i kanë edhe në përdorim, ndërsa kompensimi i ish-pronarëve të bëhet konform ligjeve në fuqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›