Identifikohet i arratisuri, është Llambi Gjoni nga Fieri
Greqi
Policia ndërmerr operacione ndaj shqiptarëve, arrestohen dy për terrorizëm

Llambi Gjoni, shqiptari i arratisur
Policia greke ka identifikuar shqiptarin e arratisur nga spitali në qytetin Nafplio. Ai është Llambi Gjoni nga qyteti i Fierit, i dënuar me 20 vite burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Pas arratisjes, pala greke ka marrë kontakte me homologët e saj shqiptarë për të forcuar masat në kufirin mes dy vendeve. Ka pasur informacione se Gjoni është drejtuar në vendlindje, pikërisht në qytetin e Fierit, ku edhe banon familja e tij në lagjen 1 Maji. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Policisë së Shtetit, të cilat saktësojnë se kanë forcuar kontrollet në kufi, ndërsa po vëzhgohen edhe familjarët e tij për prezencën e 40-vjeçarit. Kemi kontaktuar me palën greke që na kanë konfirmuar se i arratisuri quhet Llambi Gjoni. Në Shqipëri ka disa familjarë, ndërsa informacionet flasin se ai është drejtuar për në vendin tonë, për tu fshehur nga ndjekja policore në Greqi, pohojnë burimet nga policia shqiptare, e cila saktëson se Gjoni është larguar vite më parë në Greqi dhe nuk njihet mirë nga banorët e zonës, të cilët kanë vite pa e parë dhe mund të ketë ndryshuar pamje. Megjithatë, fotoja e publikuar nga mediat greke ka sjellë edhe identifikimin e familjarëve të tij në Fier.
Gjoni u arratis dy ditë më parë në qytetin Nafplio të Greqisë. Policia greke thotë se dy persona, të cilët mbanin në duar kallashnikovë, kërcënuan gardianët dhe nën kërcënimin e armëve morën me forcë të dënuarin. Ata qëlluan në ajër për ti frikësuar dhe duke përfituar nga kaosi dhe paniku që u krijua, arritën të rrëmbejnë të burgosurin duke e futur në një makinë tip Audi me të cilën u larguan. Policia ka nisur ndjekjen si në Argolis, ashtu edhe në qarqet fqinje, ndërsa ka vijuar hetimet duke marrë në pyetje edhe dëshmitarë okularë.
Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët arrijnë të arratisen nga burgjet greke. Shqiptari më i njohur pas hekurave të burgut në Greqi është padyshim Alket Rizai, i cili ka mundur të arratiset nga burgu duke përdorur edhe një helikopter. Madje këtë ngjarje e ka përsëritur dy herë, i ndihmuar edhe nga Vasilis Paleokostas, një nga emrat më të njohur të krimit në vendin helen. Ndërkohë, Rizai akuzohet në Greqi se ka kryer nga qelitë e burgut edhe pengmarrje dhe ka trukuar ndeshje.
Terroristët shqiptarë
Dy shtetas shqiptarë, 18 dhe 22 vjeç, u arrestuan nga policia greke në Florina. Në një komunikatë të policisë së qytetit verior, sqarohet se ndalimi u bë në afërsi të kufirit shqiptaro-grek, në kohën kur personat në fjalë po tentonin të largoheshin në drejtim të Shqipërisë. Policia greke thotë se gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës, dy të rinjtë kishin terrorizuar me breshëri automatiku banorët e fshatit Klidhi, në prefekturën Verias. Sipas të njëjtave burime, shqiptarët po qarkullonin me motoçikletë nëpër rrugët e fshatit, e në vazhdim filluan të qëllonin me breshëri kallashnikovi.
Banorët e fshatit, të trembur, njoftuan forcat e rendit, që nisën një operacion për gjetjen e të dyshuarve. Plot tri orë më vonë, dy shqiptarët u kapën në afërsi të kufirit, në tentativë për të kaluar në territorin shqiptar. Pas kontrollit, atyre iu gjet një armë e tipit kallashnikov dhe 56 fishekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe një numër i madh gëzhojash nëpër rrugët e fshatit Klidhi. Hetimet paraprake treguan se 22-vjeçari ishte në kërkim nga policia greke, pasi ishte dënuar më parë nga një gjykatë për trafik klandestinësh.
Banesa
Ka pasur informacione se Gjoni është drejtuar në vendlindje, pikërisht në qytetin e Fierit, ku dhe banon familja e tij në lagjen 1 Maji
Identifikohet i arratisuri, është Llambi Gjoni nga Fieri burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip