E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet pacienti i 30-të i prekur nga virusi

01/09/2009  Gripi i derrave

Shtohet frika e një shpërthimi të mundshëm epidemik të gripit të derrave edhe në vendin tonë. Sipas specialistëve të shëndetit publik, një fakt i tillë shpjegohet me rritjen e rasteve të reja që po evidentohen si mbartëse të këtij virusi. Gjatë ditës së djeshme është konfirmuar edhe pacienti i 30-të i prekur nga ky virus, ndërkohë që janë edhe dhjetëra raste të dyshuara, që po vijojnë procedurën e analizës. Bluzat e bardha kanë paralajmëruar një situatë të vështirë me hyrjen e stinës së vjeshtës, kur kontaktet ndërmjet njerëzve do të jenë edhe më të mëdha për shkak të çeljes së shkollave. Pavarësisht deklaratës së bërë pak ditë më parë se shtimi i rasteve nuk do të shoqërohet me shtyrjen e nisjes së vitit shkollor, specialistët gjatë ditës së djeshme kanë theksuar se në rast të rritjes masive të rasteve që do të preken nga virusi AH1Ni do të rrezikohet edhe hapja e shkollave. Gjithashtu burimet pranë departamentit të sëmundjeve infektive kanë shtuar se me çeljen e vitit te ri shkollor do të fillojë monitorimi i rreptë, pasi ambientet arsimore mund të jenë një terren i përshtatshëm për përhapjen e virusit A/H1N1. Të dhënat e raportuara në buletinin e 11 të ISHP-së mbi ecurinë e përhapjes së sëmundjes në vendin tonë tregojnë se personat e prekur janë kryesisht nga Tirana, 6 nga Durrësi, 2 nga Gjirokastra, 1 nga Saranda dhe 1 nga Devolli. Personat e prekur i përkasin grup-moshës aktive 25- 44 vjeç. Mjekët kanë shtuar se fatmirësisht të gjithë këta pacientë gëzojnë gjendje të mirë shëndetësore. Analizat po kryhen edhe për 536 mostra të dyshuara, të cilat janë marrë nga të gjitha rrethet e vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›