E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identiti i rremë, pranga të kërkuarit

Vlorë- Ka mundur të vijë nga Italia me dokumente të falsifikuara, por nuk ka mundur dot të fsheh identitetin e vërtetë në Vlorë. Burime zyrtare të policisë së Vlorës bëjnë me dije se është ndaluar 46-vjeçari Ferdinand Lamaj, lindur në Fier dhe banues në Vlorë, pasi në ngarkim të tij, Gjykata e shkallës së parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg.Ai është dënuar me vendim të formës së prerë në prill të 2004, nga gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda në Milano.

Lamaj ka marrë aty dënimin me 13 vjet e 9 muaj burg për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale, trafikim femrash për prostitucion, shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese si dhe atë të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit më shumë se një herë.

Sipas policisë, për 46-vjeçarin kishte informacione se ai kishte hyrë në Vlorë një ditë më parë. Duke qenë në listën e të shumëkërkuarve, Lamaj kishte përdorur identitet të rremë.

Në bazë të informacioneve të marra policia e Vlorës ka hartuar planin e kapjes, i cili është realizuar në një nga lokalet e lagjes “24 maji”, ku ai ishte ulur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›