E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç, sot në Kosovë. Sejdiu: Vizitë private

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pritet të jetë sot në Kosovë, për të festuar Pashkët. Ai ka paralajmëruar pjesëmarrjen e tij në liturgjinë për Pashkët Ortodokse, që do të mbahet sot në Manastirin e Deçanit, në Kosovën Perëndimore. Vizita e Presidentit Tadiç në Kosovë bëhet në kohën e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 11 majit në Serbi.

Ndërkaq, Presidenti Sejdiu i konsideroi të papranueshme vizitat për propagandë. Ai vlerësoi se vizita e homologut të tij serb, Boris Tadiç në Kosovë, është e karakterit privat. "Njerëzve mund t‘u lejohet të vijnë që të vizitojnë bashkëkombësit e tyre, nuk është ndonjë problem. Nuk është ndonjë problem i veçantë i kësaj natyre, por çështjet që kanë të bëjnë me udhëheqje fushate, me nxitje urrejtjeje, situata konfliktesh janë të papranueshme", tha Presidenti Sejdiu.

Kreu i Kosovës ka komentuar edhe zgjedhjet serbe në Kosovë, që sipas tij, janë të papranueshme, ilegale dhe provokacion që synon destabilizimin. "Janë zgjedhje të papranueshme për Kosovën. Mund të them madje se janë një provokim i tipit të veçantë, siç dinë të bëjnë njerëzit që dëshirojnë ta destabilizojnë Kosovën", theksoi Sejdiu gjatë një vizite në Prizren. Ai rikujtoi se zgjedhjet serbe në Kosovë bien në kundërshtim edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe theksoi rëndësinë që ka mbështetja e UNMIK-ut.

"Për ne është me rëndësi që mbështesim qëndrimin e UNMIK-ut, institucioni më i lartë në kuptimin e pranisë ndërkombëtare, i detyruar që të japë përgjigjen e tij të saktë se këto zgjedhje janë të papranueshme dhe ilegale", shtoi Presidenti i Kosovës. Ai përsëriti prerë qëndrimin se "Kosova nuk është dhe nuk do të shërbejë si zonë elektorale, as për ndërtimin e strukturave paralele në Kosovë, as për ndërtimin e strukturave në Serbi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›