E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Aleancat? Do të shqyrtojmë çdo ofertë

Fatjona Mejdini

Intervista

Kreu i PDIU: Tirana ti kërkojë sqarime Athinës

Fatjona Mejdini

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deklaron se forca politike që ai drejton do të shqyrtojë të gjitha ofertat e partive të tjera për të bashkëpunuar në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 2013-s. Në një intervistë për Shqip, Idrizi e argumenton këtë qëndrim me nevojën që ka PDIU-ja të jetë një parti institucionale, që do ti mundësonte zbatimin e programit. Nga ana tjetër, Shpëtim Idrizi thekson se aktualisht PDIU-ja ka mundur të sigurojë mbështetje në Kuvend për miratimin e një rezolute mbi çështjen çame dhe se konkretizimi i kësaj nisme mbetet vetëm çështje kohe. Një çështje që Idrizi shtjellon është edhe ajo e ndarjes së territorit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pavarësisht se ai beson se nuk ka negociata sekrete mes palëve, Idrizi kërkon që qeveria shqiptare duhet ti kërkojë Greqisë sqarime në lidhje me punën kërkimore që po bëhet për nxjerrjen e naftës nga territori ujor ende i pandarë. Sipas tij, privatizimi i Albpetrolit do ti japë mundësinë Shqipërisë të kërkojë naftë në territorin e saj, në detin Jon.

Z. Idrizi, si e shikoni debatin për imunitetin në vend dhe a keni shpresa se Shqipëria do të arrijë këtë vit të marrë statusin e vendit kandidat në BE?

Unë mendoj se ky është një debat tipik për një vend si i yni, në këtë stad të zhvillimit të institucioneve dhe që ka një problematikë të caktuar të korrupsionit te zyrtarët. Për fat të mirë palët janë në një gjatësi vale për sa i takon tekstit të ligjit, por opozita ka frikë se ky ndryshim i imunitetit duhet të shoqërohet dhe me shtim të konsensualitetit në zgjedhjet e pjesëtarëve të institucioneve të sistemit të drejtësisë. A ka opozita ndonjë model? Domethënë a mbështeten diku kur propozojnë këto ndryshime? Kam drojën se skemi shumë kohë të shqyrtojmë këto ndryshime, ndërkohë që 20 shtatori po afron. Për fat të mirë kemi sinjale se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat në 100-vjetorin e Pavarësisë, diçka që ka vlerë jashtëzakonisht të rëndësishme gjeopolitike dhe simbolike. Megjithatë mendoj se rruga drejt BE-së do të ketë etapa të tjera, pra do të jetë akoma mjaft e gjatë.

Në muajt e parë të verës, ju keni premtuar kalimin në Kuvend për gjatë këtij sesioni të një rezolute për çështjen çame. Kur pritet të ndodhë kjo?

Le të kryejmë axhendën e përshpejtuar për integrimin dhe pastaj në përputhje me deputetët miq dhe aleatë do të përcaktojmë kohën se kur do të jetë më mirë. Ajo që është kryesorja, është siguruar vullneti i mjaftueshëm që të kalojë një rezolutë ku përmbajtësohet detyrimi për autoritetet tona diplomatike që të ngrenë çështjen çame në kontaktet e tyre në përputhje me dokumentet ndërkombëtare.

A do të shohim në muajt në vazhdim një zgjerim të marrëveshjes së PDIU-së me PD-në?

Do të ketë zgjerim, apo konsolidim në varësi të zhvillimeve që ne kemi parashtruar me kohë dhe në përputhje me peshën tonë politike.

Cila pritet të jetë strategjia e PDIU-së në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme dhe a është përcaktuar koalicioni ku do të bëni pjesë?

Siç dihet PDIU-ja është një parti programore, një parti e çështjes sonë kombëtare, ku çështja çame është më kryesorja, për shkak se ajo është ende e pazgjidhur. Me objektivin absolut për zgjidhjen e saj prioritare, ne do të shqyrtojmë të gjitha ofertat që sigurojnë se PDIU-ja do të mbetet si parti institucionale.

Në vend ka një paqartësi të madhe për sa i përket rinisjes së negociatave të ndarjes së detit me palën greke. Si një palë që e keni ngritur shpesh këtë çështje, si e shikoni dhe çfarë sugjeroni tashmë për këtë proces?

Është e vërtetë që ka njëlloj paqartësie, por mendoj se ne duhet të besojmë se nuk kemi negociata sekrete. Por as kjo nuk duhet të na qetësojë, sepse kemi informacionin që Greqia ka filluar kërkimin e naftës në Jon, dhe për herë të parë në Gazetën Zyrtare greke është botuar harta e zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë. Unë shtroj pyetjet: mbi bazën e kujt e ka bërë Greqia një përcaktim të tillë, nëse ska asnjë marrëveshje të ratifikuar me Shqipërinë? Në cilat koordinata po bëhen kërkime dhe pse në vitet 1994, ishte Shqipëria që kërkonte naftë në Jon? Kam përshtypjen se Greqia kërkon të na vendosë para faktit të kryer, ku hapësira e veprimit tonë shtetëror është e kufizuar, vetëm te mjetet gjyqësore. Mendoj se Shqipëria duhet të kërkojë urgjentisht në mënyrë publike sqarime Greqisë, për vendndodhjen e punimeve kërkimore. Mendoj se me privatizimin e Albpetrolit dhe disa beneficeve që i janë dhënë asaj ndërmarrjeje, do të kemi rrethana të reja për kërkimin në det nga ana jonë. Ne do ia kërkojmë publikisht qeverisë që të ndërmarrë hapat e duhur në këtë drejtim.

Kohët e fundit, Parlamenti i Kosovës ka marrë vendimin që Kosova të zgjedhë prefiksin e Shqipërisë në komunikimet ndërkombëtare telefonike. Ju e përshëndetët një vendim si ky. Si duhet të veprohet tani?

Më duhet të bëj një saktësim. Nuk ishte një vendim, por një rezolutë, domethënë një akt i cili do të duhet të shërbejë si orientim në veprimin e qeverisë së Kosovës në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe me botën. Është një veprim sensibilizues në kahun e duhur, i cili nëse do të jetësohet në praktikë, do të sillte pasoja jashtëzakonisht pozitive në bizneset tona, në afrimin shpirtëror të dy pjesëve të ndara të kombit. Është një hap në përputhje me atë doktrinë, me atë program të bërë publik nga intelektuali i shquar Arbën Xhaferi, disa vite më parë, emërtuar si Komunuelthi shqiptar. Është një doktrinë e tij, dhe vetëm e tij, të cilës ne si PDIU i jemi referuar shpesh. Nisur prej saj, pra në një qasje tërësore, dy qeveritë duhet të ngrenë menjëherë një grup të përbashkët pune për studimin dhe realizimin jo vetëm të këtij hapi, por edhe të hapave të tjerë që çojnë kah bashkimi i kombit në fillim brenda kufijve ekzistues, pastaj le të ecim më tutje në përputhje me aspiratat tona kombëtare dhe kushtetutat tona përkatëse.

Statusi - Idrizi thekson se ka sinjale që Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat në BE këtë vit në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, si një veprim simbolik dhe gjeopolitik

Kosova - Kreu i PDIU-së kërkon ngritjen e një grupi të përbashkët pune me Kosovën jo vetëm për të jetësuar përdorimin e të njëjtit prefiks mes dy vendeve, por dhe për unifikime të tjera të rëndësishme

Deti - Idrizi thekson se është shqetësues fakti që Greqia ka nisur kërkimin e naftës në detin Jon dhe për herë të parë në gazetën zyrtare greke është botuar harta e zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë

Idrizi: Aleancat? Do të shqyrtojmë çdo ofertë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›