Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit për ndryshimet kushtetuese zgjat plot 2 minuta
Pasi Berisha foli dhe mazhoranca ndërroi mendje, të martën në mbrëmje është mbledhur Këshilli i Legjislacionit për të diskutuar në lidhje me ndryshimet kushtetuese, të propozuara nga Partia Socialiste. PD dhe PS po nxitojnë, edhe pse palët e kanë shprehur qëndrimin e tyre. PD nuk do i votojë ndryshimet, por vetëm sa do kënaqë PS-në me idenë se po ia shqyrton propozimet.
Ndaj në momentin kur të gjithë prisnin një diskutim për këto ndryshime, seanca e Këshillit të Legjislacionit ka zgjatur plot… 2 minuta e 40 sekonda.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli njoftoi se palët kanë rënë dakord për caktimin e Pandeli Majkos dhe Paulina Hotit si relatorë të çështjes.
Po ashtu është rënë dakord që të premten të zhvillohet seanca dëgjimore me konstitiucionalistë dhe përfaqësues të institucioneve kushtetuese.
Opozita ka propozuar mes të tjerash, emërimin me 3/5 të Prokurorit të Përgjithshëm, të kryetarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe të gjithë anëtarëve të këtyre gjykatave, duke argumentuar se kështu sistemi i drejtësisë fiton një pavarësi më të madhe nga politika.
PD ka deklaruar votën kundër duke thënë se PS synon të vendosë diktatin e pakicës.