E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy vëllezër turq merren peng dhe torturohen se ngacmuan një vajzë

Gazeta Shqip

Turqit - Dy vëllezërit turq punonin në Shqipëri si berberë në zonën ku janë marrë peng me makinë nga tre personat e identifikuar prej policisë

Tiranë - Njëri nga vëllezërit në gjendje të rëndë, ndërsa tjetri ka frikë të tregojë autorin në polici

Sipas policisë, dyshohet se dy vëllezërit turq ngacmuan me fjalë motrën e njërit prej pengmarrësve

I kërkuari

I vetmi i identifikuar nga policia është Elton Latefaj, i cili është në kërkim

Fjalët që i kanë hedhur një vajze shqiptare u kanë kushtuar shumë dy vëllezërve turq, të cilët prej disa kohësh jetojnë në Tiranë, pasi vëllai i saj, bashkë me dy shokë të tij, i kanë rrëmbyer, mbajtur peng dhe plagosur rëndë të huajt. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më shumë se dy javë më parë, por është zbuluar shumë më vonë nga policia, pasi njëri nga vëllezërit është ende në gjendje të rëndë dhe nuk mund të flasë, ndërsa tjetri ka pasur frikë të tregojë pengmarrësin.

Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur zyrtarisht se tri ditë më parë, për këtë çështje ka filluar procedimi penal, pasi është depozituar një kallëzim nga shtetasi turk, V. Alkaya, 31 vjeç. Pasi është bindur nga policia se do të mbrohet nga pengmarrësi, ai ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore se më datë 24 gusht 2012, rreth orës 22.45, në rrugën Sulejman Delvina në Tiranë është marrë peng nga tre persona. Ai ka rrëfyer më tej se e kanë marrë në automjetin tip BMW, me targa AA 030 DC, së bashku me vëllain e tij M. Alkaya, 36 vjeç. Sipas policisë, personi i marrë në pyetje dyshon se ai është marrë peng për arsye se ka ngacmuar me fjalë një vajzë, të paktën kështu ka arritur të kuptojë nga pengmarrësit, të cilët i kanë dhunuar fizikisht me shkopinj bejsbolli dhe me leva. Por ai nuk ka ditur të tregojë emrin e ndonjërit prej tre pengmarrësve, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke i lënë të braktisur në një kodër.

Duke u nisur nga këto të dhëna, grupi hetimor tha se ka nisur punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale dhe për identifikimin e autorëve. Fillimisht është identifikuar mjeti, targat e të cilit mbaheshin mend nga turku i dhunuar, që ka rezultuar se i përkisnin njërit prej pengmarrësve. Më tej është verifikuar nëse ai ishte vëllai apo ndonjë i afërm tjetër i vajzës, për të cilën pretendohej se e kishin ngacmuar dy turqit. Nga këto veprime, policia ka identifikuar të dyshuarin Eliton Lafetaj, 34 vjeç, i cili është shpallur në kërkim për pengmarrjen e dy vëllezërve dhe keqtrajtimin e tyre. Gjithashtu, policia po punon edhe për gjetjen e dy personave të tjerë, shokë të tij, për të cilët ka pasur informacione të shumta operative, por ende nuk janë identifikuar plotësisht, kështu që emrat e tyre nuk janë bërë publikë.

Nga grupi hetimor mësohet se dy vëllezërit punonin në Shqipëri si berberë në zonën ku janë marrë peng me makinë. Pasi janë kërcënuar me armë dhe i kanë futur në makinë, ata dyshohet se i kanë dërguar në një zonë të Selitës, megjithëse policia nuk ka mundur të gjejë vendin e ngjarjes. Gjithashtu, policia tha se ka marrë kontakt me të dëmtuarit që ditën e ngjarjes, por vëllai që ishte në gjendje të fliste thoshte se nuk e dinte se kush ishin autorët. Por, duke e vënë re se ai kishte frikë, oficerët e policisë kanë këmbëngulur për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë, e cila ka arritur të dokumentohet vetëm tri ditë më parë. Policia shpjegoi se ka ushtruar kontroll në banesën e njërit prej të identifikuarve, por nuk ka arritur ta gjejë, kështu që e ka shpallur në kërkim. Pas arrestimit, policia pritet të ballafaqojë vëllezërit me të kërkuarin për njohje, ndërsa prokurori ka prerë urdhrin e arrestit në flagrancë. Red. Akt.

Dy vëllezër turq merren peng dhe torturohen se ngacmuan një vajzë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›